Teksa vizitoja muralin shumëngjyrësh në Sheshin “Skënderbeu” në zemër të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, një grup fëmijësh shqiptarë të kopshtit më afruan me entuziazëm. Të shoqëruar nga dy edukatoret e tyre, këta vogëlushë 5-vjeçarë më përshëndetën në… anglisht!
E habitur nga rrjedhshmëria dhe natyrshmëria e të folurit të tyre, nisa të bisedoj me ta. Me kureshtje dhe krenari më treguan se mësonin anglisht çdo ditë ndërsa jetojnë dhe rriten në zemër të një zone historike të mbushur me kulturë e trashëgimi shqiptare.
Për këdo që ka pasur fatin të vizitojë Shqipërinë, do ta kuptojë lehtë se ruajtja e identitetit dhe trashëgimisë kulturore është një prioritet i gjallë mes shqiptarëve – dhe kjo nis që në fëmijëri.
Kjo përvojë ishte një dëshmi e fortë se shqiptarët janë poliglotë të natyrshëm. Gjatë udhëtimeve të mia në vende të ndryshme të botës, kam vënë re se shumë shqiptarë flasin më shumë se një gjuhë me lehtësi të admirueshme. Kjo nuk është vetëm një aftësi praktike por një pasqyrim i pasurisë kulturore që kanë trashëguar ndër breza.
Personalisht, kam nisur të mësoj gjuhën shqipe dhe sa më shumë përparoj aq më shumë kuptoj sa komplekse dhe e bukur është. Kjo më bën të kuptoj edhe më thellë pse shqiptarët mësojnë kaq shpejt çdo gjuhë të huaj që hasin – sepse vetë gjuha e tyre kërkon aftësi, ndjeshmëri dhe përkushtim për t’u zotëruar.
Maqedonia më dha me një ndjesi të veçantë. Këtu, historia e dy komuniteteve që kanë ndarë të njëjtin territor është e pranishme në çdo rrugë, në çdo ndërtesë dhe në çdo bisedë.
Dhe ndërsa koha ecën, bëhet gjithnjë e më e qartë se trashëgimia kulturore e paprekshme jeton përmes fëmijëve, përmes gjuhës që flasin dhe përmes krenarisë që mbajnë për atë që janë.
Shkrimtare e pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe asaj jomateriale, e përkushtuar ndaj ruajtjes së tyre përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. E interesuar për zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ai ka në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Komente