Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior (Silvinjo), si dhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior. Kjo lëvizje konfirmon vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar.
Kontrata e re do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me synimin madhor për kualifikimin e Shqipërisë për herë të parë në fazën finale të Kupës së Botës.
Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka shënuar progres të dukshëm në organizimin e lojës dhe rezultate, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026. Në mars, Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e play-off-it, dhe në rast kualifikimi, do të luajë me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi.
Ky rinovim i kontratës reflekton besimin e plotë të FSHF-së në stafin aktual dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta për Kombëtaren, duke synuar forcimin e konkurrencës dhe përfaqësimin dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Komente