Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga fasoneria janë rikthyer në rritje gjatë vitit 2025. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit, të ardhurat neto nga shërbimet e përpunimit arritën në 169 milionë euro, një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në total, për 9-mujorin 2025, fasoneria ka gjeneruar 530 milionë euro, 6.4% më shumë se në 2024. Edhe pse sektori është goditur nga mbiçmimi i Lekut dhe rritja e kostove të punës, presioni nga kursi i këmbimit është zbutur gjatë vitit 2025, me Euron që ka rënë vetëm 2% në terma vjetorë.
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë përmirësim të lehtë në grupmallrat ku dominon fasoneria. Eksporet e tekstileve dhe këpucëve ranë me vetëm 1% për 10-mujorin, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me rënien 21% një vit më parë. Ndërkohë, grupi “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” regjistroi rritje 5.7%.
Industria fason po diversifikohet gradualisht, me rritjen e sektorit automotive, ndërsa mbetet kontribuues i rëndësishëm në bilancin e shërbimeve: në 9 muaj, fasoneria solli rreth 15% të suficitit neto të ekonomisë shqiptare në tregtinë e shërbimeve.
Komente