Fantazma e IMT-së në Vlorë: kush është Dorian Kalemaj dhe pse emri i tij nuk ekziston askund?

Fantazma e IMT-së në Vlorë: kush është Dorian Kalemaj dhe pse emri i tij nuk ekziston askund?

Në mesditën e një dite të zakonshme pune, në hyrje të qytetit të Vlorës, një aksion rutinë për lirimin e hapësirave publike u shndërrua në një episod dhune që ngriti më shumë pikëpyetje sesa dha përgjigje. Zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe punonjës të Policisë Bashkiake u përfshinë në një konflikt fizik me një familje, ndërsa një efektiv i qarkullimit rrugor u detyrua të qëllojë në ajër për të neutralizuar situatën. Por përtej pamjeve të dhunës dhe njoftimeve zyrtare, një emër mungon në mënyrë të çuditshme nga çdo dokument publik: drejtori i IMT-së së Vlorës, Dorian Kalemaj.
Një konflikt që shpërtheu në mes të ditës
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:20, në zonën e njohur si Rrethrrotullimi i Nartës. Sipas policisë, tre persona – Irfan Dalipaj (58 vjeç), Drisild Dalipaj (27 vjeç) dhe Fabio Dalipaj (23 vjeç) – kundërshtuan ndërhyrjen e IMT-së për heqjen e një tende të vendosur në biznesin e tyre. Debati verbal degradoi shpejt në dhunë fizike, ku u goditën drejtori i IMT-së dhe inspektori që e shoqëronte.
Detaj që e bën ngjarjen edhe më të pazakontë është fakti se 27-vjeçari Drisild Dalipaj rezulton të jetë punonjës i Policisë Bashkiake në Vlorë. Pra, një punonjës shteti, së bashku me familjarët e tij, ushtron dhunë ndaj funksionarëve të tjerë shtetërorë, gjatë një aksioni zyrtar.
Në afërsi të konfliktit ndodheshin dy efektivë të Qarkullimit Rrugor, të cilët ndërhynë për të shuar përplasjen. Edhe ata u goditën fizikisht. Në këto rrethana, njëri prej efektivëve nxori armën e shërbimit dhe qëlloi në ajër, pa shkaktuar lëndime. Dy punonjës policie u transportuan në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pamjet e sigurisë të publikuara nga Blu Tv tregojnë momentet e përleshjes mes familjes Dalipaj, punonjësve të IMT-së dhe policëve, duke konfirmuar dhunën e ushtruar në mes të ditës, në një zonë të frekuentuar.
Njoftimi zyrtar dhe mungesa e emrit
Policia e Shtetit, në njoftimin paraprak, flet për “punonjës të INUV” (termin që shpesh përdoret në mënyrë të ndërthurur me IMT-në) dhe për tre shtetas me iniciale. Por në asnjë rresht të deklaratës nuk përmendet emri i drejtuesit të IMT-së që, sipas raportimeve mediatike, ishte viktimë e drejtpërdrejtë e agresionit.
Po keshtu, vete drejtori I policise se Qarkut , shkon te takoje te demtuarit por perseri asnje emer dhe asnje sekuence nga drejtori i IMT-se.
Kjo mungesë nuk është thjesht formale. Në raste të ngjashme, drejtuesit e institucioneve zakonisht përmenden me emër e mbiemër, sidomos kur janë objekt dhune gjatë ushtrimit të detyrës. Në këtë rast, drejtori i IMT-së shndërrohet në një figurë pa identitet zyrtar. Pyetja ehte : pse gjithe kjo fshehtesi?
Kush është Dorian Kalemaj?
Një kërkim i shpejtë në internet për emrin Dorian Kalemaj jep zero rezultate domethënëse. Nuk ka profil publik në rrjete sociale, nuk ka deklarime, nuk ka dokumente shtetërore lehtësisht të aksesueshme që të lidhin emrin e tij me funksionin që ushtron. Edhe në incidentin e Nartës, emri i tij nuk del as me iniciale, ndonëse ishte viktimë e një agresioni fizik.
I vetmi gjurmë publike ku shfaqet emri i tij është një short i hedhur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, ku Dorian Kalemaj figuron si paditës ndaj IKMT Tiranë, me Avokaturën e Shtetit si palë e tretë. Një detaj që shton më tej mjegullën rreth figurës së tij institucionale. Pse nje inspektor I IMT duhet te padise ne gjykate Inpsektoriatin Kombetar te Mbrojtjes se Territorit?
Çfarë thuhet në qytet
Burime ende të pakonfirmuara flasin për një reputacion personal të dobët. Në zonën Radhimë–Orikum, ku Kalemaj ka ushtruar më parë funksionin e inspektorit, ai përshkruhet si selektiv në zbatimin e ligjit dhe si ushtrues i trysnisë per perfitim personal”. Sipas këtyre zërave, kur “merr atë që ai do, di të bëjë një vesh shurdh e një sy qorr; kur jo, ligji zbatohet me rreptësi maksimale.
Janë pikërisht këto “fjale pazari” apo perceptime që e bëjnë edhe më të dyshimtë shpërthimin e dhunës nga ana e një punonjësi të Policisë Bashkiake dhe familjarëve të tij. Se vetem duke I marre per te verteta ato mund shpjegohet që njerëz që vetë punojnë në shtet të “çmenden” deri në vendosjen e dorës mbi funksionarë shteti?

Dy raste që ngrenë pikëpyetje mbi integritetin profesional dhe personal te Dorian Kalemajt.
Blu TV ka dokumentuar të paktën dy raste flagrante ku IMT ka mbyllur sytë. Rasti i parë është rrethimi i bazës eksperimentale të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Panaja, një investim prej 160 milionë lekësh të vjetra, tashme drejt perfundit dhe pa leje ndertimi dhe Rasti i dytë, edhe më i rëndë, ndodhet në zemër të Vlorës, pranë morgut të spitalit, ku po ndërtohet një godinë “backup” me vlerë 1.2 miliardë lekë, po pa leje ndërtimi.
Ndërkohë, denoncime të tjera për ndërtime, katallane, të hapura pa leje, prishje selektive në qytet pritet të verifikohen dhe publikohen.
Një institucion pa fytyrë
Ngjarja e Nartës nuk është thjesht një sherr. Ajo është një pasqyrë e një institucioni që, në sytë e publikut, po humbet fytyrën. Kur drejtori i IMT-së shndërrohet në një “fantazmë ”, pa identitet publik, pa transparencë dhe me reputacion të diskutueshëm, atëherë konflikti në rrugë është vetëm simptoma. Pyetja reale mbetet: kush I kontrollon kontrollorët? Dhe pse, në Vlorë, ligji duket se zbatohet me lupë për të vegjlit dhe me sy të mbyllur për të mëdhenjtë?

Lajmi nga: Adriatik Golemaj
Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.

Komente

-