Evis Sema, Kryetare Qarku në Fier apo mësuese me kohë të plotë në shkollë private? Kush e drejton në të vërtetë sot Qarkun Fier?

Evis Sema, Kryetare Qarku në Fier apo mësuese me kohë të plotë në shkollë private? Kush e drejton në të vërtetë sot Qarkun Fier?

Evis Sema, Kryetare e Këshillit të Qarkut Fier, rezulton e punësuar edhe në një shkollë jopublike në Fier, sipas një kontrate pune të dërguar në redaksinë tonë, e firmosur nga zonja Sema, ku përshkruhet një angazhim i plotë profesional pranë një shkolle jopublike. Dokumenti ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta mbi kohën reale të disponueshme për drejtimin e institucionit të qarkut dhe ushtrimin e kompetencave që ligji i njeh kryetares së Këshillit të Qarkut.

Në kontratën e firmosur nga zonja Sema, orari është i përcaktuar pa ekuivok: punëmarrësi “të paraqitet në punë në orën 7:40 dhe të largohet nga puna në orën 14:40”, për “veprimtari mësimore dhe jomësimore”, përfshirë “mbledhje profesionale, takime me prindërit dhe pjesëmarrjen në grupet e punës”. Po aty përcaktohet edhe se “në orën 13:15 deri në orën 14:15 organizohen konsultat me nxënës në nevojë”.

Kontrata parashikon gjithashtu një regjim tipik “punësimi me kohë të plotë”: “Kohëzgjatja javore e punës do të jetë 35 orë… Pushimi javor… e shtunë dhe e diel”, ndërsa sqaron se “mungesa në punë nuk është e paguar”. Me këtë orar ditor 7:40–14:40, pyetja publike nuk është “pse jep mësim”, por si përputhet ky turn i përditshëm me detyrën e kryetares së qarkut.

Po çfarë detyrash ka Qarku dhe pse kryetari duhet të jetë prezent në institucion?
Sipas legjislacionit për vetëqeverisjen vendore, qarku është niveli i dytë i qeverisjes vendore dhe ka si funksione ndërtimin e politikave rajonale, harmonizimin me politikat shtetërore dhe ushtrimin e kompetencave të deleguara. Në letër dhe në ligj, qarku nuk është një “institucion dekor”: ai duhet të koordinojë bashkitë, të mbajë një vijë të përbashkët zhvillimi dhe të mos lejojë që secila bashki të veprojë e izoluar, individualisht, duke parë vetëm “hallin” e vet.

Roli i Kryetarit të Këshillit të Qarkut është edhe më i qartë. Kryetari është figura qendrore e drejtimit dhe përfaqësimit të këtij institucioni, duke vepruar si hallkë lidhëse mes organeve shtetërore, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe subjekteve publike apo private, brenda dhe jashtë vendit. Ai kryeson mbledhjet e këshillit dhe të kryesisë, nënshkruan të gjitha aktet dhe procesverbalet, siguron zbatimin e vendimeve të marra, përgatit raportet, projektvendimet dhe materialet e nevojshme për vendimmarrje, si dhe drejton administratën e qarkut, për funksionimin e së cilës mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Kryetari emëron dhe shkarkon personelin e administratës, garanton ushtrimin e të gjitha funksioneve që ligji ia njeh këshillit të qarkut, merr masa për funksionimin normal të strukturave dhe mbledhjeve të tij, ushtron kompetenca të tjera të deleguara nga këshilli ose kryesia dhe, në përmbushje të këtyre detyrave, nxjerr urdhra me karakter individual, duke e bërë këtë rol një funksion të përditshëm, ekzekutiv dhe me peshë reale institucionale. Ky nuk është rol ceremonial; është rol që kërkon prezencë, komunikim të përditshëm dhe “duar në timon”.

Pikërisht sepse ky rol është i rëndësishëm, prania fizike e kryetarit në institucion gjatë orarit standard administrativ (08:00–17:00) është themelore: aty kryhen takimet, koordinohen dosjet, firmosen shkresat, merren vendime ekzekutive dhe zhvillohet komunikimi me bashkitë dhe institucionet. Nëse drejtimi i qarkut bëhet “pasditeve”, institucionet e tjera nuk të presin; administrata punon paradite dhe vendimmarrja reale ndodh në orar.

Kjo është arsyeja pse një turn i plotë ditor në një punë tjetër, sidomos kur është i fiksuar 7:40–14:40 dhe me konsultime 13:15–14:15, e kompromenton rëndë funksionin e kryetarit të qarkut.

Por, për të qenë të drejtë, shumë faj personal zonja Evis Sema nuk ka. Këshillat e Qarqeve janë struktura qokash, me kosto të larta dhe zero vlerë publike. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se Këshillat e Qarqeve janë sot thjesht këshilla qokash lokale. Nuk bëjnë politika. Nuk koordinojnë asnjë zhvillim rural, e aq më pak urban. Nuk mbikëqyrin asgjë. Janë kthyer në zyra punësimi politike, të mbushura me një administratë ineficente, nepotike dhe të papërgjegjshme ndaj nevojave qytetare.

Çdo muaj, mijëra e qindra mijëra euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë shkojnë për pagat e tyre, për zyrat, për makinat dhe për shpenzime operative të këtyre institucioneve që nuk prodhojnë asgjë. Zero shërbim. Zero rezultat. Zero llogaridhënie. Thjesht fasadë.

Dhe sigurisht, çdo njeri ka nevojë të bëjë një punë me kuptim dhe me kontribut real shoqëror. Dhe ku ka më mirë sesa profesioni i mësuesit për ta bërë këtë? Kështu që Evis Sema shumë faj nuk ka, që në vend të kryetares së një institucioni të padobishëm, zgjedh të bëjë mësuesen.

Por të kuptohemi: kjo histori nuk është për një individ dhe as një sulm ndaj profesionit të mësuesit. Është një test serioz për një institucion: a është Qarku Fier organ funksional, apo thjesht një strukturë burokratike, një “institucion apendiks” pa funksion real, për të cilin nuk ka fare nevojë, aq sa mund të drejtohet në “autopilot” dhe pa kokë?

Lajmi nga: Dea Hasanaj
Dea Hasanaj

Dea Hasanaj

Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.

Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.

Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV

Komente

-