Në 24 orët e fundit janë evidentuar gjithsej 21 vatra zjarri, prej të cilave 18 janë shuar, ndërsa 3 janë ende aktive. Operacionet për shuarjen e zjarreve po vazhdojnë me intensitet, ku janë angazhuar forca të shumta zjarrfikësish dhe ushtarësh për të ndaluar përhapjen e flakëve.
Vatrat Aktive:
Qarku Vlorë – Malet mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq
Zjarri vijon të përhapet në zonat Cerkovicë, Llupsat dhe Shëndre, duke prekur një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të ulët. Për izolimin e plotë të zjarrit janë angazhuar:
34 efektivë të shërbimit zjarrfikës nga Finiqi, Saranda, Delvina, Konispoli, Gjirokastra, Himara dhe Dropulli.
30 forca vullnetarë dhe forca bashkiake.
30 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po mbështesin operacionin me mbështetje ajrore.
Qarku Berat – Zona e ish-Uzinës Mekanike Poliçan
Në këtë zonë po punohet për shuarjen e një zjarri të madh që ka përfshirë një sipërfaqe pyjore dhe që ka nevojë për kujdes të shtuar për shkak të karakteristikave të terrenit. Angazhuar janë:
7 automjete zjarrfikëse.
40 efektivë të shërbimit zjarrfikës nga Poliçani, Berati dhe Skrapari.
20 forca bashkiake dhe 1 automjet zjarrfikës nga Forcat e Armatosura.
Qarku Fier – Fshati Lofkënd, bashkia Mallakastër
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe po përhapet për shkak të erës. Forcat zjarrfikëse po punojnë intensivisht për ta izoluar. Angazhuar janë:
41 automjete zjarrfikëse.
314 forca operacionale.
30 efektivë të Forcave të Armatosura me mbështetje ajrore.
Situata e Motit dhe Parashikimet
Sipas IGJEO, sot nuk priten reshje, ndërkohë që ka një rrezik të lartë për zjarre në qarkun Fier. Në qarqet Kukës, Dibër dhe Korçë, parashikohet rrezik i ulët, ndërsa në qarqet e tjera rrezik i moderuar.
Gatishmëria e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e forcave në terren dhe mbështetje të strukturave lokale në çdo moment. Prioritet i veçantë është mbrojtja e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët nga rreziqet e mundshme të zjarreve që janë aktive.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente