Çmimet e ushqimeve në Shqipëri kanë kaluar për herë të parë mesataren e Bashkimit Europian, duke thelluar hendekun mes kostove të jetesës dhe nivelit të të ardhurave. Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se indeksi i çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në vend ka arritur në 100.1% të mesatares së BE-së, ndërsa të ardhurat sipas fuqisë blerëse janë vetëm 41% e mesatares europiane.
Rritja e çmimeve është ndjerë veçanërisht nga turistët e huaj. Alesandro, një vizitor nga Italia, shprehet i befasuar nga kostot në një supermarket në Tiranë, ku për disa produkte të zakonshme darke pagoi 35 euro, më shumë se në qytetin e tij, Bolonjë. Edhe Elmor, një turist nga Britania, rrëfen se pagoi 15 euro për disa produkte bazë në një dyqan në Golem dhe mbi 14 paund në një tjetër supermarket, duke shtuar se është më lirë të hash në restorante sesa të gatuash vetë.
Sipas Eurostat, produktet më të shtrenjta për shqiptarët në krahasim me mesataren e BE-së janë vezët, djathi dhe qumështi, që arrijnë në 131% të mesatares europiane. Edhe ushqimet bazë janë rreth 25% më të shtrenjta, ndërsa pijet joalkoolike kushtojnë 19% më shumë se në BE.
Krahasuar me vitin 2023, kur çmimet shqiptare ishin mesatarisht 7% më të ulëta se mesatarja e BE-së, ky ndryshim përbën një kërcim të ndjeshëm. Në krahasim me vendet e rajonit dhe disa shtete europiane si Spanja, Polonia apo Bullgaria, ushqimet në Shqipëri rezultojnë më të shtrenjta, ndërkohë që vetëm Zvicra, Islanda dhe Norvegjia kanë çmime më të larta në nivel kontinental.
Arsyet e këtij trendi lidhen me TVSH-në e lartë mbi produktet e shportës, kostot e transportit, logjistikën e dobët dhe mungesën e konkurrencës reale në tregun ushqimor shqiptar.
Komente