Eskortat punësohen si psikologe në burgje? Zv/drejtori i Burgjeve: “Të ndiqet penalisht Artan Hoxha!”

Eskortat punësohen si psikologe në burgje? Zv/drejtori i Burgjeve: “Të ndiqet penalisht Artan Hoxha!”

Një polemikë e re ka shpërthyer pas akuzave të gazetarit Artan Hoxha rreth mundësisë së punësimit të eskortave si psikologe në burgje. Sipas Hoxhës, disa persona përfshirë figura të njohura nga showbizi, përdorin metoda të ndryshme për t’u futur në burgje, duke përfshirë vajza që hyjnë si psikologe ose trajnuese por që në fakt janë eskortë.

Në një deklaratë të dhënë në emisionin "Off the Record" me Andrea Dangllin, Femi Sufaj, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, ka hedhur poshtë këto akuzat dhe ka kërkuar që gazetari Hoxha të ndiqet penalisht për shpifje. Sufaj theksoi se të gjithë punonjësit e burgjeve janë të monitoruar dhe përzgjedhja e tyre bëhet me shumë kujdes dhe integritet.

"Të gjithë punonjësit e burgjeve janë në monitorim të vazhdueshëm dhe i nënshtrohen trajnimeve të specializuara për fushën. Ata janë të monitoruar nga kamerat dhe i respektojnë standardet e kërkuara për punën që bëjnë", theksoi Sufaj. Ai shtoi se çdo shpifje ndaj punonjësve të këtij sektori është e papranueshme pasi ata janë profesionistë të angazhuar për të siguruar rendin dhe sigurinë brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Në lidhje me akuzat e ngritura nga Hoxha, Sufaj u shpreh: “Është një shpifje e ulët që nuk mund ta bësh ndaj kujtdo sepse ata që punojnë atje janë njerëz, kanë dinjitet dhe kanë familje”. Ai gjithashtu konfirmoi se punonjësit e burgjeve janë të përzgjedhur pas një procesi të thelluar dhe trajtohen për çdo aspekt të punës së tyre.

Kujtojmë se gazetari Artan Hoxha ka pretenduar se disa vajza, përfshirë edhe ato që janë pjesë e showbizz-it janë punësuar në burgje si psikologe ndërsa në fakt ato ushtrojnë aktivitete të tjera duke krijuar dyshime mbi transparencën dhe ligjshmërinë e procesit të rekrutimit.

Zv/drejtori i Burgjeve theksoi gjithashtu se ka pasur përmirësime në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimit përfshirë rekrutimin e punonjësve me integritet dhe rritjen e kontrollit dhe monitorimit në çdo fazë të aktivitetit brenda burgjeve.

Në këtë atmosferë të tensionuar duket se përgjigja e autoriteteve do të vijojë të jetë një element kyç për zgjidhjen e pikëpyetjeve të ngritura rreth kushteve dhe korrupsionit në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-