Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka protokolluar dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve që varen nga pushteti vendor, duke vijuar më pas me komandimet e para në postet vakante. Dredha, një ditë më parë, mori hapin e rëndësishëm për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të institucioneve lokale dhe shmangien e kolapsit administrativ, duke nisur komandimet e drejtorëve të rinj në pozitat vakante pas përfundimit të procesit të aplikimeve.
Ky proces ka të bëjë me fazën e parë të komandimeve dhe, sipas Dredhës, të gjithë drejtuesit dhe stafi i komanduar do të kalojnë një vlerësim të punës së tyre, për të përcaktuar nëse janë të aftë për të mbajtur detyrat që u janë ngarkuar. Ky vlerësim dhe analizë është pjesë e një procesi të rëndësishëm për të siguruar cilësinë dhe efikasitetin e administratës publike.
Ndryshimet në Bashkinë e Vlorës janë bërë pas takimeve të zhvilluara në qytet dhe udhëzimeve të dhëna nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar largimin e të gjithë drejtuesve të institucioneve dhe dorëheqjet përkatëse. Pjesa më e madhe e dorëheqjeve tashmë janë protokolluar, dhe komandimet e para janë realizuar me shpejtësi për të mbajtur në funksionim administratën lokale.
Kryeministri Edi Rama kishte kërkuar që procesi i ndryshimeve të realizohej sa më shpejt, me synimin për të pasur një administratë të pastër dhe më efikase. Pritet që komandimet në postet drejtuese të përfundojnë pas datës 20 korrik, kur të mbyllet ky cikël ndryshimesh në institucionet e Bashkisë së Vlorës.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente