Vlorë, 8 Korrik 2025 – Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka ndërmarrë një hap të papritur, duke firmosur dorëheqjet e 25 drejtuesve të bashkisë dhe institucioneve vartëse. Vendimi u mor gjatë një takimi me dyer të mbyllura, i zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së martës, në ambientet e bashkisë.
Burime pranë institucionit bëjnë me dije se dorëheqjet janë pjesë e një reforme të brendshme për të rritur eficiencën dhe për të ristrukturuar administratën vendore. Ky hap vjen në vijim të thirrjes së fundit nga kryeministri për ndryshime në nivelet drejtuese dhe rritje të përgjegjshmërisë institucionale.
Megjithatë, nuk është sqaruar ende nëse dorëheqjet janë përfundimtare apo në funksion të një procesi të riorganizimit dhe rivlerësimit të drejtuesve aktualë.
Deri në emërimin e drejtuesve të rinj, të gjithë të larguarit do të vijojnë të ushtrojnë detyrën, për të garantuar mbarëvajtjen e punës në institucionet që varen nga Bashkia e Vlorës.
Në ditët në vijim pritet që Bashkia të zyrtarizojë emrat e rinj që do të marrin drejtimin e sektorëve kyç në administratën vendore.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente