Kur përmendim Jane Austen shumica e njerëzve menjëherë mendojnë për Krenari dhe Paragjykim. Por Ema – ndoshta më ironikja, më e sofistikuara dhe njëkohësisht më e diskutueshmja ndër heroinat e saj – është një eksperience krejt më vete. Një roman që, në vend që të ndjekë rrugët klasike të romances viktoriane, vendos në qendër një vajzë të pasur, mendjemprehtë dhe paksa kokëfortë, e cila nuk ka asnjë plan për t’u martuar. Dhe e dini çfarë? Ajo thjesht… ka qejf të ndërhyjë në jetët e të tjerëve.
Nëse ky përshkrim ju duket pak i njohur është sepse ndoshta ju kujton disa miq, disa komente në rrjete sociale – apo ndoshta veten në ndonjë ditë të keqe. Ema është e papërsosur. Dhe ky është, me gjasë, fuqia më e madhe e këtij libri.
Më shumë se një histori dashurie
Në thelb, Ema është një roman për gabimin, rritjen dhe vetëdijen. Ndryshe nga heroinat e tjera të Austen, që shpesh janë të vendosura nga fillimi në misionin e martesës, Ema nuk ka ndonjë hall të tillë. Ajo është e pasur, e pavarur dhe në kontroll të fatit të saj. Dhe ndërsa vendos të luajë “kupidin” për të tjerët, në të vërtetë ajo ndeshet me një proces të gjatë – dhe herë pas here të dhimbshëm – të vetëanalizës.
Por Jane Austen nuk na le kurre ta kuptojmë këtë në pamje të parë. Ajo na tregon, me stilin e saj të hollë ironik, se si veprimet e Emës ndikojnë tek të tjerët. Dhe në vend që ta “ndëshkojë” për gabimet e saj, ajo na ofron një mundësi për ta parë heroinën si një grua që mëson, reflekton dhe rritet. Pra, jo një “vajzë perfekte”, por një karakter kompleks, me dinamika dhe – më e rëndësishmja – njerëzore.
Një roman për gratë që s’kanë frikë nga vetvetja
Një nga temat më të fuqishme të romanit është mënyra se si gratë manovrojnë brenda një bote që shpesh i sheh ato si pasive apo si objekte të dëshirës mashkullore. Ema, përkundrazi, është subjekt. Ajo merr vendime (edhe kur janë të gabuara), ajo ndërhyn, ajo ka mendime të forta. Dhe në një botë ku një grua e pavarur shihej shpesh si rrezik, Ema është një shembull i pazakontë i një gruaje që s’ka frikë të ketë autoritet mbi jetën e vet.
Leximi i Emës në ditët e sotme na lejon të reflektojmë edhe mbi mënyrat se si shoqëria jonë ende e penalizon zërin e grave – veçanërisht kur ai del jashtë kornizave të butësisë, durimit apo modestisë. Ema është në një mënyrë të çuditshme, “vajza që nuk pëlqehet nga të gjithë” – por që ndoshta përfaqëson pikërisht atë që shumë prej nesh dëshirojmë të jemi: të zonjat e vetes, kokëforta kur duhet dhe të afta.
Austen dhe e sotmja shqiptare: Një pasqyrë ironike
Në një nivel më të gjerë, Ema është edhe një roman mbi klasën, statusin dhe normat shoqërore. Ndërsa lexojmë për intrigat e një fshati anglez dhe për mënyrën se si gjithçka komentohet, thashethemet qarkullojnë dhe hierarkitë ndërtohen mbi para dhe mbiemra është e pamundur të mos ndjejmë një ndjesi njohjeje.
Sepse, le ta pranojmë: edhe në Shqipëri, thashethemet janë një sport kombëtar. Dhe sikurse Ema e sheh veten si një lloj “kuratoreje” të jetëve të të tjerëve sot këtë rol e kanë marrë rrjetet sociale. Vajza që dikur ndërhynte në romancat e shoqeve sot ka një faqe Instagram-i ku poston “opinionet” e saj mbi të tjerët. Njerëzit që dikur përgjonin nga penxheret sot dërgojnë video te JOQ Albania.
E këtu nis pyetja interesante: a kemi ndërtuar një kulturë ku ndërhyrja në jetët e të tjerëve është bërë mënyra jonë për të ndjerë pushtet? Ema, në roman mëson të tërhiqet dhe të reflektojë. Por a po ndodh kjo edhe me ne? Apo po qëndrojmë të bllokuar në një cikël kritikash publike, moralesh dhe ndërhyrjesh që nuk na lejojnë të shohim më përtej?
Një klasik që s’ka nevojë të plaket
Ajo që e bën Emën kaq tërheqëse edhe sot është se, pavarësisht kontekstit historik, personazhi i saj flet drejtpërdrejt me kohën tonë. Mësimet që jep libri nuk janë për martesën apo etikën viktoriane por për ndershmërinë, vetëkritikën dhe fuqinë e rritjes personale.
Dhe le të themi diçka hapur: nuk është një lexim i lehtë. Në fillim, Ema mund të duket arrogante, edhe pak e bezdisshme. Por ndërsa e ndjekim në rrugën e saj, e kuptojmë se gjithçka që e bën të “padashur” në faqet e para, është pikërisht ajo që e bën të paharrueshme deri në fund.
Në fund të ditës…
Ema nuk është një histori dashurie – është një histori vetëdijesimi. Një udhëtim që na fton të shohim veten tonë përmes një lente të ndershme dhe herë pas herë sarkastike. Është një ftesë për të qenë më të kujdesshëm, më me këmbë në tokë dhe – më e rëndësishmja – më të ndërgjegjshëm për mënyrën se si ndikojmë tek të tjerët.
Nëse kërkoni një roman që nuk ju jep përgjigje të gatshme, por ju fton të bëni pyetje të thella (dhe ndoshta të qeshni me veten), Ema është një zgjedhje perfekte. E vjetër? Po. Por edhe më aktuale se kurrë.
Nga Ema Golemaj
Komente