Elbasani katër ditë nën tym toksik – Qytetarët sot në protestë

Elbasani katër ditë nën tym toksik – Qytetarët sot në protestë

Elbasani po përjeton ditën e katërt radhazi nën pushtetin e një reje të dendur tymi toksik, pas zjarrit të përhapur në fushën e mbetjeve urbane. Ndërsa situata mbetet alarmante, qytetarët dhe aktivistët kanë paralajmëruar një protestë për sot përpara Prokurorisë dhe Bashkisë së Elbasanit, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë.

Zjarri në landfill: rrezik për shëndetin dhe mjedisin
Zjarri, që ka përfshirë thellësitë e landfillit, ka nxjerrë jashtë kontrollit menaxhimin e mbetjeve në qytet. Tymrat e dendur dhe të rrezikshëm për shëndetin kanë përfshirë jo vetëm zonën përreth, por edhe pjesë të qytetit, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe në jetën e përditshme të banorëve.

Ndërkohë, kompania “Eco-Elb”, që ka marrë përgjegjësinë për grumbullimin, trajtimin dhe incenerimin e mbetjeve, rezulton të ketë përfituar miliarda lekë nga fondet publike pa ofruar realisht të gjitha shërbimet e kontraktuara.

Fakte alarmante: miliarda lekë për një incenerator jashtë funksionit
Gjatë viteve 2022–2025, 8 bashki të qarkut Elbasan kanë derdhur mbi 4 miliardë lekë në llogaritë e “Eco-Elb”, ndërkohë që impianti i incenerimit ka qëndruar kryesisht jashtë funksionit, sipas pretendimeve të vetë kompanisë për difekte teknike.

Vetëm Bashkia Elbasan ka realizuar 239 transaksione me një vlerë prej 2.4 miliardë lekësh të vjetra, ndërsa të dhëna të ngjashme vijnë edhe nga bashkitë e Gramshit, Librazhdit, Prrenjasit, Cërrikut, Belshit, Peqinit dhe Rogozhinës.

Sipas kontratës së lidhur me kompaninë, “Eco-Elb” ishte e detyruar të ofronte katër shërbime: pranimin, grumbullimin, trajtimin dhe djegien e mbetjeve. Por realiteti ka qenë ndryshe – incenerimi, pjesa më e rëndësishme dhe më e kushtueshme, nuk është kryer.

Hetime në ngërç, vetëm 3 zyrtarë u paraqitën në Prokurori
Pavarësisht nisjes së hetimeve nga Prokuroria, procesi duket i ngadaltë dhe i fragmentuar. Së fundmi janë thirrur drejtues juridikë dhe shefa finance nga 8 bashkitë, por vetëm 3 nga 10 të thirrurit janë paraqitur, duke ngritur dyshime për përpjekje për të fshehur gjurmët e një krimi mjedisor dhe financiar.

Reagimi i qytetarëve: "Mjaft më!"
Qytetarët tashmë kërkojnë llogari. Përmes protestës së sotme, ata synojnë të bëjnë presion ndaj institucioneve për të ndalur këtë krizë të heshtur mjedisore, që po shkatërron ajrin, tokën dhe besimin tek institucionet.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-