Ekstradim nga Dubai drejt Tiranës - Denis Brajoviç, alias Bajri, kapet dhe pritet të mbërrijë në Shqipëri

Ekstradim nga Dubai drejt Tiranës - Denis Brajoviç, alias Bajri, kapet dhe pritet të mbërrijë në Shqipëri

Policia e Shtetit njofton se këtë të mërkurë do të ekstradohet në Shqipëri Denis Brajoviç, alias Bajr, 37 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda. Ekstradimi është realizuar pas një operacioni ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë mes Interpol Tiranë dhe Interpol Abu Dhabi, si dhe me partnerët e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Brajoviç është i akuzuar për krime të rënda, përfshirë vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër, më 9 gusht 2020. Vrasja dyshohet të jetë kryer me urdhër të Behar Bajrit dhe për llogari të Pëllumb Gjokës. Sipas informacioneve të zbërthyera nga bisedat në aplikacionin Sky, Brajoviç ka ekzekutuar vrasjen me kërkesë të Ervis Martinajt, me qëllim eliminimin e një personi të përfshirë në një konflikt me Pëllumb Gjokën në kryeqytet.

Denis Brajoviç është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg". Ai akuzohet për veprat penale si:

Vrasja me paramendim, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, në grupin e strukturuar kriminal;

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve;

Formimi dhe veprimtaria e grupit të strukturuar kriminal;

Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale;

Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, gjithashtu kryer në formën e bashkëpunimit.

Brajoviç do të transferohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes një fluturimi me Turkish Airlines, dhe më pas do të arrijë në Tiranë. Policia e Shtetit do të njoftojë për orën e mbërritjes së tij.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:
"Policia e Shtetit vijon operacionin ndërkombëtar të koduar 'The Wanted', për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Interpol Tiranë me Interpol Abu Dhabi dhe partnerët e Emirateve të Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin e Denis Brajoviç, alias Bajr, 37 vjeç, i shpallur në kërkim për krime të rënda, përfshirë vrasjen, armëmbajtjen pa leje dhe përfshirjen në grupet kriminale".

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lajmi nga: Adriatik Golemaj
Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.

Komente

-