Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila riktheu në detyrë Erion Veliajn si kryetar të Bashkisë së Tiranës. Në një postim në platformën X, Rama deklaroi se ky vendim tregon se ai nuk i kontrollon të gjitha pushtetet dhe se kjo është një shenjë pozitive për funksionimin e demokracisë në vend.
“Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të gjitha pushtetet, dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë, apo jo?”, shkroi kryeministri me ironi.
Rama theksoi se nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2027, dhe nëse Gjykata Kushtetuese mendon se një kryebashkiak i arrestuar nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë situata prek jo vetëm të drejtat individuale të Veliajt, por edhe të drejtat e qytetarëve të Tiranës.
“Sipas kësaj logjike, disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më vetëm dëm për të drejtat e tij kushtetuese, por edhe për të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i tyre,” shkroi Rama.
Kreu i qeverisë e cilësoi vendimin e Gjykatës si një akt parimor, duke theksuar se nuk e sheh atë si qëndrim kundër qeverisë. Ai shtoi se pret që e njëjta parimësi të ndiqet edhe në shqyrtimin e çështjes së paraburgimit të Veliajt.
“Nuk ka si të mos presim që me të njëjtën parimësi, kur të gjykohet paraburgimi i tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo?”, u shpreh Rama.
Në përfundim, ai bëri thirrje për zgjidhjen e “ngërçit absurd”, duke theksuar se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë dhe se institucionet duhet të garantojnë funksionimin normal të qeverisjes vendore.
Komente