Gjatë një takimi me kryebashkiakët e vendit, Kryeministri Edi Rama u shpreh me tone të forta ndaj kryebashkiakut të Elbasanit, Gledian Llatja, duke e cilësuar të papranueshme gjendjen e varrezave të qytetit, ku së fundmi një zjarr i përhapur nga bari i thatë ka ngritur shqetësime serioze.
"Bari synon të bëhet kallam"
Kryeministri u ndal te një incident i ndodhur para disa ditësh, ku një qytetar me probleme të shëndetit mendor i vuri flakën barit të thatë në varreza. Rama tha se zjarri mund të ishte shmangur nëse hapësira do të ishte mirëmbajtur dhe bari do të ishte prerë në kohë.
"Është një lloj bari që jo vetëm rritet, por synon të bëhet kallam. Pastaj, kur dikush i vë flakën, për turp bëhen varrezat vatër zjarri."
Kërkesa për dorëheqje në nivel drejtuesish
Rama kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të Bashkisë Elbasan dhe theksoi se neglizhenca nuk është e tolerueshme në qytete që mund të përshkohen në këmbë çdo ditë:
"Është e paimagjinueshme që në një qytet si Elbasani, kryetari i bashkisë të mos jetë i informuar për çdo detaj. Po nuk i ke sytë hapur ti, të tjerët i kanë të mbyllur."
Ai shtoi se bashkitë me mbështetje të madhe elektorale duhet të japin rezultate konkrete dhe të mbajnë përgjegjësi në të gjitha nivelet e administratës.
“Modeli i shkundjes së pemës” për Elbasanin
Rama kërkoi zbatimin e të ashtuquajturit “model i shkundjes së pemës” në Elbasan – një proces i ristrukturimit të brendshëm me shkarkime dhe rishikime të performancës së çdo drejtuesi lokal.
“10 mandatet e Elbasanit, 12 të Fierit dhe 9 të Vlorës më kanë marrë edhe ato pak orë gjumë që më kishin mbetur. Edhe ju duhet të rrini zgjuar – jo të flini më shumë. Njerëzit që na votuan, presin 10-fishin nga ne."
Mesazh për të gjithë drejtuesit vendorë
Përmes shembullit të Elbasanit, kryeministri dha një mesazh më të gjerë: puna në terren, përgjegjësia dhe komunikimi me qytetarët nuk mund të zëvendësohen me thjesht fjalë apo numra zgjedhorë.
Endri Goxhaj është një gazetar dhe aktivist per te drejtat e kafsheve , i diplomuar në Hoteleri-Turizëm, me një karrierë në media që nga viti 2016.
Puna e tij është fokusuar në denoncimin e abuzimeve ndaj kafshëve dhe shkeljeve sociale që prekin gjithashtu dhe njerëzit më të pambrojtur.
Përmes raportimeve dhe dokumentimeve në terren, është bërë një zë i rëndësishëm për ata që nuk kanë mundësi të flasin vetë duke sjellë në vëmendje histori që kërkojnë drejtësi, ndërgjegjësim dhe veprim. Për të, gazetaria nuk është profesion, por mision të tregosh të vërtetën, edhe kur të gjithë të tjerët zgjedhin të heshtin.
Komente