Këtë mëngjes, qytetarët që udhëtojnë nga Greqia drejt Shqipërisë u përballën me radhë të gjata pritjeje në pikëkalimin kufitar të Qafëbotës, më të gjata se dita e djeshme.
Sipas informacioneve, pala greke shërben me vetëm dy sportele, me punonjës të sjellë nga Dogana e Kakavijës, ndërsa pala shqiptare operon me tre sportele.
Situata kaosi në Qafëbotë ka ndodhur pas arrestimit të 14 doganierëve grekë — 7 meshkuj dhe 7 femra, përfshirë edhe shefin e tyre. Doganierët janë akuzuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, me vepra penale të tipit rushfet pasiv në bashkëpunim.
Dosja e çështjes përbëhet nga mbi 2,000 faqe, ku përfshihen materiale video dhe fotografike, si dhe biseda të regjistruara mes të akuzuarve dhe personave të tjerë.
Në njoftimin e Policisë Greke bëhet e ditur se ky grup kriminal, i përbërë nga punonjës të Autoritetit Doganor, ishte i përfshirë në marrje përfitimesh të padrejta financiare për moskryerjen e kontrolleve kufitare.
BluTV do të vijojë të raportojë mbi situatën dhe zhvillimet e mëtejshme në pikëkalimin kufitar të Qafëbotës.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente