Stina e verës, e njohur tradicionalisht si stina e dasmave, këtë vit po reflekton një ndryshim të ndjeshëm në ritmin e ceremonive martesore në vend. Operatorë me përvojë në fushën e eventeve po sinjalizojnë një rënie të dukshme të prenotimeve, duke konfirmuar tendencën e largimit të dasmave nga Shqipëria.
Aranit Balani, një prej operatorëve më të njohur me afro tre dekada përvojë në fushën e dasmave, rrëfen për BluTV se viti 2025 është më i varfëri për sa i përket prenotimeve. Ai ka arkivuar kalendarë të tërë të dasmave ndër vite dhe e ka të dokumentuar rënien drastike: prenotimet këtë vit janë thuajse përgjysmë krahasuar me 2024-ën.
"Dasmat po bëhen gjithnjë e më të rralla në Shqipëri", shprehet Balani, duke shtuar se realiteti i emigrimit reflektohet edhe në ceremonitë martesore. Ai vëren një shtim të kërkesave nga jashtë shtetit, ndërkohë që brenda vendit interesimi është në rënie të vazhdueshme.
Arsyet? Sipas tij, jo mungesa e dëshirës për të organizuar një dasmë, por rënia e mundësive ekonomike. “Kostoja e lartë e një ceremonie të plotë martesore po i detyron shumë të rinj të heqin dorë ose të gjejnë forma të tjera,” thotë Balani.
Një prej këtyre trendeve të reja është bashkimi i dy eventeve në një: ditëlindja e parë e fëmijës dhe ceremonia martesore e prindërve. Kjo formë, më ekonomike dhe më simbolike, po zë gjithnjë e më shumë vend te çiftet e reja.
Nga ana tjetër, edhe rregulli tradicional i mbajtjes së dasmave gjatë fundjavës nuk është më i padiskutueshëm. Dasmat sot organizohen edhe gjatë ditëve të zakonshme të javës, ndërsa në shumë zona të vendit, veçanërisht në qytet, ato janë bërë përjashtim e jo rregull.
Tradita shqiptare që i konsideronte dasmat si ngjarje të fisit dhe komunitetit po zbehet përballë sfidave demografike dhe ekonomike. Dhe kjo e bën gjithnjë e më të vërtetë shprehjen: Edhe dasmat po emigrojnë.
Komente