“Bëra diçka monstruoze, por ishte e nevojshme”, kështu ka deklaruar para grupit hetimor 62-vjeçarja Lorena Venier, e cila disa ditë më parë vrau me sëpatë dhe copëtoi trupin e djalit të saj 34-vjeçar, Alessandro Venier.
Gruaja ka pranuar krimin makabër, që e kreu së bashku me nusen e djalit të saj, 30-vjeçaren Mailyn Castro Monsalvo. Dy gratë e ekzekutuan të riun dhe më pas e copëtuan trupin në disa pjesë.
“Bëra diçka monstruoze, por ishte e nevojshme. Nuk kishim alternativa të tjera. Mailyn është vajza që nuk e kam pasur kurrë,” mësohet të ketë thënë ajo ndër të tjera, gjatë një dëshmie që zgjati rreth tre orë para gjyqtarit.
Fillimisht u raportua se krimi kishte ndodhur pas një grindjeje për një darkë të harruar, por hetimet zbuluan se kjo ishte vetëm një justifikim. Në fakt, vrasja ishte planifikuar më parë nga të dyja gratë. Grindja që ndodhi një javë para ngjarjes, shërbeu si pretekst për të vënë në zbatim planin që kishin kurdisur prej kohësh.
Plani ishte aq brutal, sa pas vrasjes, ato e copëtuan trupin e tij dhe u përpoqën ta fshihnin, me shpresën se në një moment do ta zhduknin përfundimisht. Dy gratë kishin siguruar edhe gëlqere për të mbuluar erën e trupit dhe për të shmangur vëmendjen e fqinjëve.
“Pakti” mes tyre zgjati vetëm pesë ditë. Mëngjesin e djeshëm, 30-vjeçarja nuk e përballoi dot më barrën psikologjike dhe, teksa kaloi pranë koshit ku ishte hedhur trupi, telefonoi numrin emergjent dhe u dorëzua në polici.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Lorena Venier ka pohuar se mbesa e saj 6 muajshe “nuk mund të rritej në atë klimë”, duke nënkuptuar tensionet dhe sherret e vazhdueshme mes viktimës dhe dy autoreve.
Ngjarja ka ndodhur më 25 korrik, pas muajsh të gjatë konfliktesh dhe dhune verbale e fizike brenda familjes. Trupi i viktimës u copëtua në tre pjesë me një mjet për prerjen e druve dhe u zhvendos në një garazh gjatë natës.
Për të mos ngjallur dyshime, nëna e viktimës vijoi të shkonte rregullisht në punë deri në mbrëmjen e së mërkurës. Ajo punonte në një qendër shëndetësore në qytetin Udine, në veri të Italisë, dhe asnjë prej kolegëve të saj nuk dyshoi për ndonjë ndryshim në sjelljen e saj. Ndërkohë, 30-vjeçarja dilte çdo ditë për shëtitje me vajzën e vogël, duke vepruar sikur asgjë nuk kishte ndodhur.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa autoritetet janë duke punuar për të zbardhur tërësisht motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Dyshohet se një nga arsyet kryesore të vrasjes ishte mënyra e çrregullt e jetesës së Alessandro-s dhe raportet e tij të tensionuara me të ëmën dhe partneren.
Dy gratë kishin planifikuar të përhapnin thashetheme se ai ishte larguar jashtë shtetit – në Kolumbi ose Australi – për të justifikuar zhdukjen dhe për të mbuluar krimin. Por rrëfimi i Mailyn dhe prova të tjera e çuan ngjarjen drejt zbardhjes së plotë.
Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.
Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.
Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV
Komente