E lëviznin drogën me makinë luksoze – Dy të rinj në pranga me mbi 1 kg kokainë

E lëviznin drogën me makinë luksoze – Dy të rinj në pranga me mbi 1 kg kokainë

Dy të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Furnitorët”, pas një hetimi tremujor të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Ata u kapën në flagrancë duke qarkulluar me një automjet luksoz në aksin “Ura e Beshirit – Pezë”.

Të arrestuarit, B. A. dhe R. S., të dy 27 vjeç dhe banues në Tiranë, dyshohet se siguronin lëndë narkotike të llojit kokainë, e cila më pas u jepej shtetasve të tjerë për t’u shpërndarë në doza në zonat “Tiranë e Re”, “Kombinat” dhe Selitë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në automjet dhe në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi 1 kg e 234 gramë kokainë, si dhe 2 celularë dhe automjetin e përdorur për lëvizje.

Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet shpërndarjeje droge.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-