“E largoi nga shtëpia, i djeg takimet në burg!” – Kryemadhi shpërthen ndaj Tedi Blushit: Po e manipulon Metën

“E largoi nga shtëpia, i djeg takimet në burg!” – Kryemadhi shpërthen ndaj Tedi Blushit: Po e manipulon Metën

Monika Kryemadhi ka hedhur akuza të rënda ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushit, vetëm pak orë pas fjalës së saj të fundit në Kuvend, duke mbyllur kështu kapitullin parlamentar për këtë legjislaturë.

Në një deklaratë për mediat jashtë parlamentit, Kryemadhi pretendoi se Blushi po manipulon Ilir Metën gjatë qëndrimit të tij në burg, duke e izoluar dhe duke i bllokuar takimet me familjen, përfshirë edhe ato me fëmijët. Ajo akuzoi Blushin se ka larguar nga Partia e Lirisë të gjithë këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e Metës, duke dobësuar pozicionin politik dhe personal të ish-presidentit.

“Tedi Blushi ia largoi të gjithë këshilltarët nga Presidenca kur ishte Meta, ia hoqi themeluesit dhe kontribuuesit nga partia. E gënjeu për disa gjëra, përfshirë edhe për situatën me vjehrrin, i cili vazhdon të punojë ende,” tha Kryemadhi. Ajo shtoi se Meta është një nga të burgosurit më të izoluar dhe se dje nuk e lanë as djalin e tij të hyjë ta takojë.

Monika Kryemadhi nuk kurseu ironinë, duke i ofruar Blushit… taka dhe fustane për të “na lënë rehat”: “Nëse do edhe një fustan apo një palë këpucë me taka të miat, ia jap me qejf,” tha ajo.

Ajo përmendi edhe emra të tjerë si Ergys Agasi dhe Ulsi Manja, duke theksuar se Blushi nuk guxon të flasë për ta për shkak të lidhjeve familjare.

Kur u pyet nëse i vjen keq që do të zëvendësohet në Kuvend nga Blushi, Kryemadhi u përgjigj prerë: “Nuk më vjen keq fare. Po merrem me një fushë më emocionuese dhe me njerëz që duan të bëjnë diçka të bukur, jo me përfitues.”

Në përmbyllje, ajo e cilësoi arrestimin e Ilir Metës si politik dhe një skenar të orkestruar nga Yuri Kim dhe Aleksandër Soros për të justifikuar fondet e reformës në drejtësi.

“Zoti Meta është një i burgosur politik. Ky është një proces i inskenuar dhe çdo akuzë ndaj tij është manipulim dhe linçim,” përfundoi Kryemadhi.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-