Edhe mëngjesin e kësaj të diele, situata në pikëkalimin e Qafëbotës ka mbetur e ngjashme me ditët e tjera me radhë të gjata që shtrihen nga sheshi i hyrjes deri në doganën greke. Sipas burimeve nga Komisariati i Kufirit Sarandë, numri i personave që presin në radhë ka pësuar një ulje të lehtë por kjo nuk është për shkak të një përshpejtimi të procedurave të cilat mbeten të njëjta. Ulja e numrit të pritësve vjen nga fakti se shumë qytetarë duke u informuar për situatën në Mavromat nga media kanë nisur të drejtohen drejt pikëkalimit kufitar të Kakavijës si një alternativë.
Pavarësisht se Kakavija është më e largët nga Saranda ky pikëkalim po tërheq gjithnjë e më shumë pasagjerë pasi kalimi atje merr më pak kohë edhe pse shpenzimet e udhëtimit janë më të larta. Sidoqoftë, situata në Qafëbotë mbetet e ngarkuar pasi dogana greke vazhdon të shërbejë me një sens lëvizjeje (ose hyrje ose dalje) ndërkohë që pala shqiptare ka dy sense lëvizjeje dhe 3-4 sportele aktive.
Statistika nga QafëBota - Fluksi i Lëvizjeve Kufitare
Sipas të dhënave nga Komisariati i Kufirit Sarandë, deri në mesditën e sotme, janë regjistruar gjithsej 521 persona në hyrje në Stacionin e Policisë Kufitare të Qafëbotës, ku 202 janë shtetas shqiptarë dhe 319 janë të huaj. Ndërkohë, kalimet në dalje kanë arritur në 915 persona, me 458 shtetas shqiptarë dhe 457 të huaj.
Shpresohet që nga dita e hënë të ketë përmirësime të dukshme në procedurat kufitare dhe të reduktohen radhët, për të lehtësuar kalimin e qytetarëve që udhëtojnë në këtë pikëkalim kufitar.
Komente