Në përpjekjet për të menaxhuar dhe shuar vatrat e zjarrit në vend, dy avionë të tipit ‘Canadair’ nga Greqia janë angazhuar për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit aktiv që ka përfshirë malin e Dukatit, në Vlorë. Zjarri ka shpërthyer disa ditë më parë dhe terreni i thyer ka bërë ndërhyrjen shumë të vështirë. Avionët e ardhur nga shteti fqinj janë aktivizuar pasditen e djeshme dhe janë duke punuar intensivisht për të luftuar flakët.
Po ashtu, si pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, edhe Italia ka dërguar dy avionë zjarrfikës ‘Canadair’, të cilët kanë operuar në zonën e njohur si "Liqeni i Luleve" në Parkun Kombëtar të Lurës, ku një vatër tjetër ka qenë aktive gjithashtu për disa ditë. Këto ndërhyrje ajrore synojnë përshpejtimin e shuarjes së zjarreve në zonat me vlerë të lartë natyrore dhe mjedisore.
Në një zhvillim tjetër, mbrëmjen e djeshme, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu ka vizituar nga afër situatën në fshatin Shetel të Shijakut, ku një vatër zjarri shpërtheu mbrëmjen e djeshme. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se flakët janë izoluar në vatrën kryesore dhe është eliminuar çdo rrezik për banesat e qytetarëve në zonë.
Përpjekjet e autoriteteve dhe strukturave të mbrojtjes civile vazhdojnë pa ndërprerje për të parandaluar përhapjen e zjarreve dhe për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente