Kreu i Dhomës së Avokatisë në Vlorë, Durim Bajrami, ka shprehur shqetësimin për gjendjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si në nivelin më të dobët që ka njohur ndonjëherë sistemi gjyqësor shqiptar. Deklarata e tij vjen në reagim ndaj kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për interpretimin e pagave nga ana e Gjykatës Kushtetuese, çka sipas Bajramit nuk është as funksioni e as përgjegjësia e këtij institucioni.
“Gjykata Kushtetuese është maja e piramidës së drejtësisë në vend dhe nuk mund të shqyrtojë çështje që lidhen me interesin personal të gjyqtarëve. Kërkesa për interpretimin e pagave është e papranueshme,” u shpreh Bajrami.
Ai shtoi se kjo situatë vjen si pasojë e reformës në drejtësi, e cila sipas tij ka dështuar në zbatimin e saj real dhe nuk ka arritur të garantojë funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë në vend.
Bajrami komentoi edhe reagimin e kryeministrit lidhur me një çështje gjyqësore që ka zgjatur shtatë vjet, në të cilën ai vetë është përfshirë. “Reagimi i kryeministrit ka ardhur në një moment domethënës. Ky është një reflektim i nevojshëm për vetë qeverinë që duhet të kuptojë se ku ndodhet sot sistemi gjyqësor në Shqipëri,” theksoi ai.
Bajrami paralajmëron se nëse nuk ka reflektim institucional dhe ndërhyrje serioze në drejtim të funksionimit të gjyqësorit, besimi tek drejtësia do të vazhdojë të bjerë, duke dëmtuar jo vetëm qytetarët, por edhe vetë shtetin ligjor.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente