Sistemi gjyqësor në Vlorë po përballet me një krizë të thellë, ku mungesa e gjyqtarëve, ngarkesa e lartë e çështjeve dhe vonesat në shqyrtimin e tyre po rëndojnë mbi qytetarët dhe profesionistët e drejtësisë. Kreu i Dhomës së Avokatisë në Vlorë, Durim Bajramaj, gjatë një interviste për Blu TV, vuri në dukje se reforma në drejtësi, e cila synonte pastrimin dhe forcimin e sistemit gjyqësor, ka sjellë pasoja të ndjeshme në funksionimin e drejtësisë në qytetin e Vlorës.
"Kemi një situatë alarmante. Mungesa e gjyqtarëve, çështjet e mbingarkuara dhe zgjatja e afateve të shqyrtimit po bëjnë që qytetarët të përballen me vonesa të pajustifikueshme," deklaroi Bajramaj.
Aktualisht, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë funksionon me vetëm 13 gjyqtarë nga 16 të parashikuar në strukturë. Procesi i vettingut ka rezultuar në pezullimin ose shkarkimin e gjashtë gjyqtarëve, duke lënë trupën gjyqësore të paplotësuar dhe të mbingarkuar.
Sipas të dhënave zyrtare, gjykata shqyrton mesatarisht rreth 480 çështje në muaj, duke përballuar një volum të lartë pune. Koha mesatare e shqyrtimit të çështjeve mbetet problematike: për çështjet civile, duhen mesatarisht 263 ditë, ndërsa për ato penale, 101 ditë për të përfunduar një proces gjyqësor.
Sipas Durim Bajramajt, stoku i dosjeve të papërfunduara në Gjykatën e Vlorës daton që nga viti 2017, duke krijuar një ngarkesë të madhe për gjyqtarët dhe një pritje të gjatë për qytetarët që kërkojnë drejtësi.
Për të përmirësuar situatën, Bajramaj apelon për përshpejtimin e plotësimit të vendeve të lira për gjyqtarë dhe për rishikimin e politikave që mund të lehtësojnë ngarkesën në sistemin gjyqësor.
Për më shumë informacione dhe zhvillime të tjera nga Vlorë dhe gjithë vendi, ndiqni Blu TV.
Komente