Donnarumma njofton largimin nga PSG - “Jam i zhgënjyer dhe i thyer shpirtërisht”

Donnarumma njofton largimin nga PSG - “Jam i zhgënjyer dhe i thyer shpirtërisht”

Portieri italian Gianluigi Donnarumma ka konfirmuar se do të largohet nga Paris Saint-Germain, pasi trajneri Luis Enrique e ka përjashtuar nga skuadra për ndeshjen e Superkupës së UEFA-s kundër Tottenham Hotspur i cili do të luhet të enjten në orët e para të mëngjesit.

“Që nga dita e parë i kam dhënë gjithçka këtij klubi, brenda dhe jashtë fushe, për të mbrojtur portën e PSG-së. Fatkeqësisht, dikush ka vendosur që nuk mund të jem më pjesë e grupit dhe të kontribuoj për suksesin e skuadrës. Jam i zhgënjyer dhe i thyer shpirtërisht,” shkroi 26-vjeçari në Instagram.

Luis Enrique e cilësoi Donnarummën si “një nga portierët më të mirë në botë” dhe mori përgjegjësinë e plotë për vendimin, duke shpjeguar se ky lidhet me profilin e portierit që ai dëshiron në skuadër. PSG ka afruar portierin Lucas Chevalier nga Lille për 40 milionë euro plus bonuse, duke e projektuar menjëherë si titullar.

Klubi francez nuk dëshiron të mbajë dy portierë kryesorë në një sezon dhe pritet të dëgjojë ofertat nga Chelsea, Manchester United apo Interi, që kanë kontaktuar menaxherin e tij, Enzo Raiola. Donnarumma kishte vetëm një vit kontratë të mbetur dhe nuk arriti marrëveshje për rinovim, pasi kërkonte rritje page dhe refuzoi strukturën e re të pagave të vendosur nga drejtori sportiv Luis Campos.

Sezonin e kaluar, italiani ishte vendimtar me pritje të rëndësishme në ndeshje kundër Liverpool-it, Aston Villa-s dhe Arsenal-it, duke ndihmuar PSG-në të fitonte Champions League për herë të parë. Megjithatë, Enrique synon një portier me shpërndarje më të mirë të topit dhe lojë më të sigurt me këmbë.

Në mesazhin e tij, Donnarumma falënderoi tifozët, shokët e skuadrës dhe qytetin e Parisit, duke shprehur dëshirën për t’u përshëndetur një herë të fundit në Parc des Princes:
“Do të mbaj gjithmonë me vete kujtimet e netëve magjike dhe mbështetjen tuaj që më bëri të ndihesha si në shtëpi. Ishte një nder i jashtëzakonshëm të luaja për këtë klub.”

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-