Në ditët e nxehta të verës, shumë pushues kanë zgjedhur plazhin e Divjakës për të kaluar kohën e lirë pranë detit. Me një nga hapësirat më të mëdha ranore në bregdetin shqiptar, Divjaka ofron ujëra të cekëta dhe të pastra, ideale për pushime familjare dhe të sigurta, veçanërisht për fëmijët.
Vija bregdetare e Divjakës, e gjatë dhe e lirë, shfrytëzohet nga pushues të të gjitha moshave për ecje, vrap apo relaks në natyrë. Ajri i pastër dhe qetësia e zonës e bëjnë këtë plazh një zgjedhje të preferuar për ata që kërkojnë qetësi larg zhurmës së qytetit.
Bashkia e Divjakës ka ndërmarrë këtë vit zgjerimin dhe përmirësimin e hapësirave publike në plazh, duke pastruar dhe rregulluar zona që më parë nuk ishin të aksesueshme për qytetarët. Ky angazhim ka rritur ndjeshëm cilësinë dhe kapacitetin pritës të plazhit, duke i dhënë pushuesve më shumë mundësi për të shijuar natyrën dhe detin.
Komente