Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” mbetet një nga destinacionet më të veçanta për pushime natyrore në Shqipëri. Me një kombinim unik mes detit, pyllit dhe lagunës, parku ofron një përvojë të rrallë për turistët që kërkojnë qetësinë dhe aventurën në të njëjtën kohë.
Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka ndarë së fundmi pamje mahnitëse nga ky park, duke ftuar turistët vendas dhe të huaj ta vizitojnë dhe ta përjetojnë nga afër.
Divjaka ofron shumë më tepër sesa plazhin. Vizitorët mund të eksplorojnë parkun në këmbë apo me biçikletë, të shijojnë vëzhgimin e pelikanit kaçurrel – një specie e rrallë që jeton në lagunë – apo të bëjnë shëtitje me varkë përgjatë vijës ujore.
Kulla panoramike u jep mundësinë turistëve të sodisin një pamje të rrallë që në ditë të kthjellë shkon deri në malin e Tomorrit. Ndërkohë, guidat 5-kilometërshe brenda parkut ofrojnë njohje të thelluar me biodiversitetin dhe gjallesat që banojnë në këtë habitat të pasur.
Parku përfshin edhe monumente kulture, që e bëjnë Divjakën një vend tërheqës për turizmin natyror, kulturor dhe aventurier – një thesar i ruajtur që pret të zbulohet.
Komente