Kanë kaluar 40 vite nga vdekja e Enver Hoxhës, diktatorit që udhëhoqi Shqipërinë nga viti 1944 deri në vitin 1985. Regjisori shqiptar Roland Sejko sjell në dokumentarin “Filmi i Shtetit”, prodhim i Istituto Luce-Cinecittà, një mozaik të jashtëzakonshëm pamjesh propagandistike të regjimit komunist shqiptar. Filmi do të ketë premierën më 4 shtator në Festivalin e Filmit në Venecia.
Dokumentari nuk ka narracion, por vetëm titra shpjegues, duke lënë që imazhet origjinale të xhiruara nga shërbëtorët e regjimit të flasin vetë. Nga paradat madhështore, marshimet rinore me parulla politike, mësimet propagandistike në shkolla, deri te momentet intime të Hoxhës në pishina, fabrika apo gjueti – gjithçka ishte e ndërtuar për të forcuar kultin e tij personal.
Pamjet tregojnë edhe vendime drastike, si përjashtimi pas vdekjes nga partia i Mehmet Shehut, ish-kryeministër dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Hoxhës, i shpallur tradhtar pas 27 vitesh në pushtet. Në mënyrë po aq të papritur, miqësitë ndërkombëtare ndryshonin sipas interesave të regjimit, nga Bashkimi Sovjetik te Kina e Mao Ce Dunit, deri te prishja e marrëdhënieve dhe largimi masiv i teknicienëve kinezë nga Shqipëria.
Dokumentari sjell atmosferën e izolimit total, me ushtrime ushtarake masive, propagandë ateiste, testime të armëve dhe mobilizim të popullsisë për një luftë të mundshme kundër “armiqve imperialistë”. Ai rikthen edhe imazhet e dhimbjes kolektive në funeralin e Hoxhës, në një vend ku lideri ishte gjithmonë i pranishëm – në ekrane, në rrugë, në çdo aspekt të jetës publike.
Roland Sejko, i lindur dhe rritur në Shqipëri, i arratisur në Itali në vitin 1991, sjell në këtë dokumentar një dëshmi të gjallë të një epoke ku arti dhe mediat ishin tërësisht në shërbim të një regjimi totalitar.
Komente