Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Sarandën, ku një 21-vjeçar nga Kamza është shpallur në kërkim nga Policia pasi dyshohet se ka kanosur me thikë familjarët e ish-kandidates për deputete të Partisë Demokratike, Matilda Qurku. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë restorantit në pronësi të familjes së Qurkut.
Matilda Qurku ka denoncuar ngjarjen në një postim në rrjetet sociale, ku ka shpërndarë pamje të siguruara nga kamerat e sigurisë. Sipas saj, i riu, Mariglen Bajrami, u është afruar fillimisht makinës ku ndodheshin fëmijët e saj (2 dhe 10 vjeç) dhe më pas ka kërcënuar babain e saj me thikë. Ngjarja është filmuar dhe është raportuar në polici, e cila ka shpallur Bajramin në kërkim.
Në postimin e saj, Matilda Qurku ka shkruar se kjo ka qenë një nga netët më të vështira të jetës së saj si nënë. Ajo ka përshkruar momentin kur nipi i saj ka parë armën dhe ka paralajmëruar të tjerët, ndërkohë që bashkëshorti i saj ka tentuar të largonte fëmijët për t’i shpëtuar. "Zëri i nipit tim që bërtiste ‘Na ndihmo, po na vret!’ është diçka që s’do ta harroj kurrë," shkruan Qurku.
Pas ngjarjes, agresori ka ndjekur makinën e familjes dhe e ka goditur pesë herë me shpejtësi dhe qëllim për të bërë keq. Matilda Qurku ka kërkuar nga Policia e Shtetit veprim të menjëhershëm për kapjen e autorit dhe mbrojtje për familjen e saj, duke theksuar nevojën për siguri dhe drejtësi. Ajo ka ftuar qytetarët që të njoftojnë Policinë nëse kanë ndonjë informacion lidhur me autorin e ngjarjes.
“E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij kanë punuar në biznesin tim dhe janë larguar në paqe, duke marrë pagesën që u takonte,” ka shtuar Qurku.
Komente