Digjet Shqipëria! Zjarre masive nga jugu në veri, ndërhyrje nga ajri me avionë e helikopterë

Digjet Shqipëria! Zjarre masive nga jugu në veri, ndërhyrje nga ajri me avionë e helikopterë

Shqipëria vijon prej ditësh betejën me flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era. Situata më kritike është në jug të vendit, ku disa zona turistike dhe banesa janë evakuuar.

Në Syrin e Kaltër, flakët kanë zbritur deri në rrugë, duke detyruar mbylljen e qarkullimit Muzinë–Sarandë dhe evakuimin e vizitorëve nga parku kombëtar. Në Finiq, disa banesa janë djegur në Leshnicën e Poshtme, ndërsa zjarri ka kaluar në fshatin Krane.

Në Poliçan flakët po rrezikojnë fshatra të tërë dhe banesa pranë qytetit, ndërsa në Gramsh janë aktivizuar vatra të reja në Sojnik e Mukaj, duke rrezikuar banorët. Po ashtu, situata mbetet problematike në Krujë, Fushë-Arrëz, Bolenë, Lukovë, Kavajë dhe Rrogozhinë.

Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga 183 trupa të Forcave të Armatosura, 68 mjete zjarrfikëse dhe ndihma ndërkombëtare nga Kroacia, Italia, Emiratet e Bashkuara, Çekia dhe Sllovakia, po punojnë nga toka dhe ajri. Në operacione janë angazhuar avionë Canadair dhe helikopterë Black Hawk për shuarjen e vatrave më të mëdha.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rreziku për zjarre mbetet shumë i lartë në disa qarqe, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 42°C në zonat e ulëta.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-