Pamjet e një incidenti të dhunshëm që ndodhi këtë të shtunë në Ksamil janë shpërndarë shpejt në rrjetet sociale, duke u bërë virale. Fillimisht, ngjarja u paraqit si një akt dhune nga një qytetar ndaj një tjetër, por pas hetimeve të mëtejshme, ka rezultuar se konflikti ka pasur një kontekst ndryshe.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ngjarja ka nisur kur shtetasi Albert Pashaj, pronar i një hoteli në zonë, ka shkuar bashkë me disa familjarë të tij në një lokal në pronësi të Agim Tarajt. Në pamjet e siguruara, Pashaj duket se ka hedhur pije në tokë dhe ka ofenduar kamarierin, çka ka çuar në një reagim të dhunshëm nga ana e kamarierit.
Pas këtij incidenti, Pashaj ka goditur dhe ka kërcënuar stafin e lokalit, duke shkaktuar përplasje fizike. Agim Taraj, që fillimisht ishte cilësuar si autori i dhunës, ka ndërhyrë për të reaguar ndaj provokimeve nga ana e Pashajt.
Burimet thonë se konflikti lidhet me ndarjen e hapësirës bregdetare. Plazhi ka qenë përdorur për vite me radhë nga pronari i barit, por këtë sezon, një pjesë e tij është dhënë për përdorim nga hoteli i Pashajt. Kjo ka shkaktuar mosmarrëveshje për pronësinë dhe shfrytëzimin e hapësirës, duke çuar në përplasje mes palëve.
Policia e Sarandës ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45 dhe se deri tani është shoqëruar një person. Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë të përfshirët. Albert Pashaj është denoncuar për dëmtim prone dhe cenim të sigurisë së punonjësve të lokalit.
Komente