Prishtinë – Nuk ka ende "tym të bardhë" në Kosovë! Për herë të shtatë me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në një proces që po zvarritet për gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Deputetët u mblodhën mëngjesin e sotëm, në orën 10:00, në vazhdimin e shtatë të seancës konstituive, por sërish nuk u arrit konsensusi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Procesi është bllokuar për shkak të mospajtimeve mes partive të mëdha parlamentare, kryesisht për kandidaturën e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje.
Vetëvendosje, megjithëse partia fituese me 48 ulëse në Kuvendin prej 120 vendesh, nuk ka arritur t'i sigurojë votat e nevojshme për ta zgjedhur Haxhiun kryetare. Në katër votime të zhvilluara deri më tani, ajo nuk ka marrë më shumë se 57 vota, ndërkohë që minimumi i nevojshëm është 61.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e shohin Haxhiun si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar kategorikisht mbështetjen për cilindo kandidat të propozuar nga Vetëvendosje.
Megjithë thirrjet për marrëveshje politike, Vetëvendosje ka refuzuar të propozojë një kandidat tjetër, duke ngulur këmbë se Albulena Haxhiu është një kandidate meritore dhe e paalternativë.
Në këtë situatë të zgjatur bllokimi, eksperti i çështjeve politike, Naim Rashiti, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se moskonstituimi i Kuvendit reflekton jo vetëm mungesën e konsensusit politik, por edhe mungesën e vullnetit për të respektuar përgjegjësitë institucionale. Sipas Rashitit, ngërçi institucional po thellon krizën politike dhe po e çon vendin drejt një pasigurie kushtetuese gjithnjë e më të rrezikshme.
Ndërkohë, qytetarët dhe shoqëria civile në Kosovë po e ndjekin me shqetësim këtë situatë, duke kërkuar nga liderët politikë zgjidhje të shpejtë dhe përgjegjësi ndaj votës së qytetarëve.
Blu Televizion do të vazhdojë të përcjellë nga afër zhvillimet në Prishtinë dhe të sjellë informacionet më të fundit për lexuesit tanë.
Komente