Deklaratë për “mbrojtjen e mjedisit” – Albpetrol flet për plane, por hesht për ndotjen reale në Vjosë.

Deklaratë për “mbrojtjen e mjedisit” – Albpetrol flet për plane, por hesht për ndotjen reale në Vjosë.

Ndërkohë që organizatat mjedisore dhe qytetarët denoncojnë ndotjen e lumenjve nga rrjedhjet e naftës, kompania Albpetrol ka shpërndarë një deklaratë ku paraqet planet e saj për “rehabilitimin e mjedisit”. Por kjo deklaratë, më shumë se një përgjigje, ngre pikëpyetje të reja dhe lë të pandryshuara shqetësimet reale në terren.
Sipas Albpetrol, zona e Gorisht-Koculit – një vendburim 60-vjeçar – është trashëgimtare e ndotjes së dekadave të mëparshme. Kompania pretendon se sot nuk ka më ndotje aktive dhe se operon me “protokolle strikte”, ndërsa pohon se mbetjet “aktivizohen vetëm në temperatura të larta”. Megjithatë, kjo bie ndesh me faktet: rrjedhjet e vazhdueshme janë dokumentuar edhe gjatë muajve të ftohtë dhe dëshmitë e banorëve flasin për një ndotje të përhershme.
Në vend që t’ia atribuojë gjithçka të shkuarës, drejtori i Albpetrol, z. Eltar Deda, duhet t’i sqarojë publikisht dhe para autoriteteve hetimore informacionet thelbësore:
Sa ujë dhe sa naftë nxirret aktualisht në Gorisht?
Si evadohet ky ujë nga dekantimi – a trajtohet apo injektohet nën tokë?
Nëse trajtohet, ku ndodhen impiantet përkatëse?
Nëse injektohet, cilët janë puset, çfarë shërbimi u është bërë atyre dhe cili është volumi që përpunojnë në 24 orë?
Në cilat formacione gjeologjike injektohet?
Kush e supervizon dhe e regjistron volumin e ujit të injektuar?
Në vend që t’u jepet një përgjigje serioze dhe transparente këtyre pyetjeve, jepet një deklaratë që paraqet ndotjen si një “relike të së kaluarës”. Nëse nuk ka më ndotje, pse lumi i Vjosës mbart ende aromën e naftës dhe kimikateve të dekantimit? Pse përroi që vjen nga dekantimi i Gorishtit ka rrjedhje konstante, verë e dimër?
Kur realiteti në terren bie ndesh me deklaratat zyrtare, kjo nuk është më vetëm një shmangie – është një fyerje për inteligjencën e publikut. Dhe publiku sot nuk është më naiv.

Lajmi nga: Adriatik Golemaj
Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.

Komente

-