Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” është rikthyer në Sarandë, qytetin ku lindi një dekadë më parë, duke i dhënë jetë netëve verore me katër mbrëmje kinematografike nën qiell të hapur, nga 19 deri më 22 qershor.
Për dashamirësit e filmit, ky rikthim është më shumë se nostalgji – është një mundësi për të përjetuar artin e shtatë, në një qytet që mungesën e një kinemaje e ndien fort. Të vendosura në dy ekrane – në shëtitoren e qytetit dhe në plazhin e “Bugonvilja Resort” – filmat u shfaqën njëkohësisht për publikun vendas dhe turistët.
“Ne i mungonim Sarandës dhe Saranda na mungonte neve. Ja ku jemi me katër net të ‘Dea Focus’ dhe ‘Dea Forum’,” – u shpreh drejtori i festivalit, Edi Topi.
Edicioni u çel me filmin “Biznesi i Kënaqësisë” nga producenti Goce Cvetanovski (Maqedonia e Veriut), ndërsa vetë Edi Topi solli për publikun filmin e tij “Vdekja le të presë”. Në netët në vijim u shfaq filmi “Këtu vallëzohet me hijet”, me protagonist aktorin e njohur sarandiot Karafil Shena.
“Rikthimet janë gjithnjë të mira dhe të frytshme,” – tha aktori, duke theksuar se ky event meriton më shumë vëmendje nga pushteti vendor, për të vijuar si një traditë kulturore në qytet.
Festivali u mbyll me filmin “Emili” të regjisores Ajola Daja, ndërsa magjia e filmit, e ndarë mes ekranit dhe detit, u kthye në një ofertë të vlefshme për të gjithë ata që donin të ndiheshin të shoqëruar nga arti në netët e verës në Sarandë.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente