Një situatë alarmante ka çuar dhjetëra fermerë të bashkive Roskovec dhe Dimal në protestë këtë mesditë, në Rotondon e fshatit Suk 1. Të revoltuar nga çmimet e ulëta të tregut, fermerët hodhën përtokë arka me domate dhe tranguj, duke i bërë thirrje shtetit që të mos i braktisë në këtë moment të vështirë.
Sipas tyre, çmimet aktuale nuk mbulojnë as kostot minimale të prodhimit, duke i vënë përballë falimentimit të sigurt.
Në një deklaratë për mediat, një prej organizatorëve të protestës, Adurim Kocaqi, theksoi se mungesa e mbështetjes dhe mosrregullimi i tregut po zhyt fermerët në varfëri. Ai propozoi si zgjidhje vendosjen e një tabele elektronike me çmime javore, që do të sillte më shumë transparencë dhe parandalim të abuzimeve.
Në kulmin e revoltës, fermerët pohuan se domatja po shitet me vetëm 70 lekë për kilogram, shumë larg çmimit minimal të leverdishëm prej 120 lekësh, ndërkohë që trangulli dorëzohet për vetëm 20 lekë, një vlerë që nuk justifikon as shpenzimet bazë.
Fermerët akuzojnë pikat e grumbullimit për manipulim të çmimeve, një fenomen që sipas tyre po përsëritet çdo vit dhe për të cilin kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Bujqësisë.
Në zonat e Roskovecit dhe Dimalit, bujqësia, sidomos kultivimi në sera, përbën bazën e ekonomisë lokale. Por me mungesën e vëmendjes institucionale dhe rënien e vazhdueshme të fitimeve, fermerët po përballen me një demoralizim të thellë, duke rrezikuar jo vetëm të ardhurat e tyre, por edhe mbijetesën e komuniteteve rurale.
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.
Komente