Çmimet në rritje, treg mungon – Fruta-perimet në Gjirokastër shiten ende në rrugë

Çmimet në rritje, treg mungon – Fruta-perimet në Gjirokastër shiten ende në rrugë

Në Gjirokastër, mungesa e një tregu të mirëfilltë për fruta dhe perime vazhdon të mbetet një shqetësim serioz për qytetarët dhe tregtarët. Për shkak të mungesës së një hapësire të organizuar, shitësit janë të detyruar të tregtojnë produktet në trotuare, rrugë apo ambiente të pasiguruara, duke mos respektuar as kushtet higjieno-sanitare.

Ndërkohë, çmimet e fruta-perimeve kanë pësuar rritje të ndjeshme, duke rënduar më tej buxhetin e familjeve, të cilat përballen çdo ditë me kosto të larta dhe mungesë standardesh në tregtim.

Zona që njihet si “treg” në qytet nuk plotëson asnjë kriter funksional. Produktet ekspozohen nën diell, pa asnjë mbrojtje, mungojnë kontrollet bazë, qeset ekologjike dhe mjetet për ruajtjen e freskisë së mallrave. Qytetarët shprehin pakënaqësi të vazhdueshme për çmimet dhe kushtet e dobëta, ndërsa vetë tregtarët kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe hapësira të përshtatshme për të ushtruar aktivitetin e tyre, pa penguar qarkullimin dhe pa cënuar rregullat e tregtimit.

Bashkia: Projekti për tregun e ri është gati

E kontaktuar nga Blu TV, Bashkia e Gjirokastrës konfirmon se ndërtimi i një tregu të ri është pjesë e planeve të zhvillimit të qytetit dhe se projekti përkatës është tashmë i përgatitur. Autoritetet lokale premtojnë se zgjidhja do të jetë funksionale dhe në shërbim të komunitetit, duke synuar të ofrojnë standarde të reja për tregtimin e produkteve bujqësore dhe mbështetjen e prodhuesve vendas.

Gjirokastra ka më shumë se kurrë nevojë për një treg të organizuar dhe modern, që të jetë në funksion të qytetarëve, të garantojë sigurinë ushqimore dhe të nxjerrë nga rruga prodhuesit që mbajnë gjallë ekonominë vendase.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-