Cilësia e ujërave në Shqipëri, alarm serioz për shëndetin publik

Cilësia e ujërave në Shqipëri, alarm serioz për shëndetin publik

Monitorimi më i fundit mbi rezervuarët dhe liqenet në vend ka ngritur shqetësime të forta për ndotjen bakteriale dhe rrezikun që kjo paraqet për shëndetin e qytetarëve. Eksperti i menaxhimit të burimeve ujore pranë Fondacionit H2H, Erjon Kalaja, i ftuar në “Table Talk”, prezantoi gjetjet e fushatës “Active Water II”, të cilat nxjerrin në pah një situatë shumë të rënduar.

Sipas Kalasë, pothuajse të gjitha pikat e monitoruara në Shqipëri kanë rezultuar me nivele të larta të ngarkesës bakteriale. Ai theksoi se burimet kryesore të ndotjes janë shkarkimet e ujërave të zeza, mbetjet bujqësore dhe zhvillimet e pakontrolluara pranë brigjeve të liqeneve.

Një rast ekstrem është regjistruar në zonën e Vijës së Ngjalës, ku u konstatua ngarkesë bakteriale e llojit Escherichia coli 420 herë mbi kufirin e lejuar. Sipas ekspertit, kjo situatë është pasojë e derdhjeve të vazhdueshme të ujërave të zeza dhe mbetjeve industriale në mjedis.

Kalaja paralajmëroi se ndotja e ujërave po rrezikon seriozisht shëndetin publik dhe se Shqipëria është “vite dritë larg standardeve të Bashkimit Evropian” për trajtimin e ujërave të ndotura. Ai shtoi se mungesa e impianteve funksionale të pastrimit, monitorimi i mangët dhe mungesa e zbatimit të masave ndëshkuese po e përkeqësojnë situatën çdo vit.

Eksperti kërkoi marrjen e masave urgjente për mbrojtjen e burimeve ujore, ndërsa nënvizoi se pa ndërhyrje të shpejta, ndotja do të vazhdojë të përhapet dhe të ndikojë si në mjedis ashtu edhe në shëndetin e komuniteteve që varen nga këto burime.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-