Në zemër të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, ndërtesa madhështore e Čifte Hamamit mbetet një ndër monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore osmane që ka mbijetuar në kohë. Me një arkitekturë të jashtëzakonshme, kjo ndërtesë ruan edhe sot identitetin e saj të hershëm.
Fjala “Čifte” do të thotë “dyshe”. Kjo banjë u ndërtua në shekullin e 15-të me dy ambiente të ndara: një për meshkujt dhe një për femrat, të vendosura në të dy skajet e strukturës. Në vitin 2001,Čifte Hamami u kthye në Galerinë Kombëtare të Artit Modern, pa ndryshuar asnjë element nga ndërtimi origjinal.
Sot, galeria shërben si një hapësirë e rëndësishme për ekspozimin e artit bashkëkohor, duke ruajtur në të njëjtën kohë ndjesinë e përdorimit të saj historik. Muret janë ruajtur ashtu siç ishin, ndërsa veprat e artit vendosen me kujdes, duke mos cenuar karakterin origjinal të godinës.
Çarshia e Vjetër, siç e kemi theksuar edhe më parë, ndodhet në anën përtej Urës së Gurit, në zonën ku banon komuniteti shqiptar i Shkupit. Është një nga pazaret më të vjetra në rajonin e Ballkanit dhe ka ruajtur strukturën e saj origjinale ndër shekuj, duke shërbyer si një qendër tregtare dhe kulturore për komunitetet lokale dhe turistët.
Pjesa më e madhe e bizneseve, restoranteve dhe dyqaneve në këtë zonë historike, janë në pronësi të familjeve shqiptare ose turke, të cilat e kanë trashëguar këtë stil jetese që nga koha e Mbretërisë së Dardanisë dhe më vonë gjatë periudhës osmane.
Rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në këtë pjesë të qytetit është e jashtëzakonshme. Ajo mbështetet jo vetëm nga institucionet, por sidomos nga banorët dhe mënyra e tyre tradicionale e jetesës, që e mbajnë gjallë këtë pasuri historike.
Shkrimtare e pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe asaj jomateriale, e përkushtuar ndaj ruajtjes së tyre përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. E interesuar për zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ai ka në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Komente