Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe të madhe me bimësi dhe shkurre në zonën e Zvërnecit, në Vlorë. Flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë, janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar edhe disa banesa në afërsi të zonës së zjarrit.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat zjarrfikëse me tre automjete, të cilat po punojnë intensivisht për të izoluar vatrat dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë, në ndihmë është angazhuar edhe një automjet i ujësjellësit, për të furnizuar me ujë ekipet në terren.
Banorët e zonës janë bashkuar në përpjekjet për të mbrojtur shtëpitë dhe pronat e tyre, duke përdorur mjete rrethanore për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende zyrtarisht, por dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, një fenomen i përsëritur në disa zona bregdetare gjatë ditëve të fundit.
Përpjekjet për shuarjen e zjarrit vijojnë, ndërsa autoritetet lokale dhe emergjencat civile i bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, duke kërkuar që të shmangen veprimet e papërgjegjshme që mund të shkaktojnë zjarr apo të përkeqësojnë situatën.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente