Tenderi 22 milionë euro për Unazën e Re, SPAK çon në gjyq 6 zyrtarë të ARRSH për favorizim dhe dëm ekonomik

Tenderi 22 milionë euro për Unazën e Re, SPAK çon në gjyq 6 zyrtarë të ARRSH për favorizim dhe dëm ekonomik

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera publike.

Në qendër të hetimit është tenderi me vlerë 22 milionë euro për “Rehabilitimin e segmentit rrugor Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja” në Unazën e Re në Tiranë, i shpallur më 14 qershor 2019 dhe firmosur më 22 tetor të po atij viti.

Të pandehurit Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj dhe Admir Pahumi akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, pasi sipas SPAK, ata kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme bashkimin e operatorëve “Salillari” dhe “Bajrami N.”, ndonëse nuk kishin ofertën më të mirë.

Hetimet kanë zbuluar se të gjithë operatorët konkurrues u përjashtuan nga gara, përfshirë edhe subjektin me ofertën më të ulët, duke shkaktuar dëm ekonomik për shtetin.

SPAK bën të ditur se janë analizuar dokumente tenderuese, dosje teknike, procedura ankimimi dhe vendime të Komisionit të Prokurimit Publik, të cilat mbështesin akuzën ndaj zyrtarëve të ARRSH për ndërhyrje të paligjshme në një nga tenderët më të mëdhenj publikë të viteve të fundit.

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-