Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u zhvillua ceremonia e daljes në pension të Kryekomisar Janaq Zarkës, një prej figurave më të respektuara të strukturave të Policisë së Shtetit, pas 41 viteve shërbim.
Gjatë karrierës së tij, Zarka ka shërbyer në sektorë të rëndësishëm si Policia Shkencore, Hetimi i Krimit dhe për shumë vite në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar profesionalizmi, ndershmërie dhe përkushtimi.
Për kontributin e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i dorëzoi Certifikatën e Karrierës, si vlerësim simbolik për dekada shërbimi shembullor.
“41 vite shërbim janë një jetë e tërë e dhënë me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Kryekomisar Janaqi nuk ka ndërtuar vetëm një karrierë, por një trashëgimi vlerash që do të kujtohet,” – tha Proda.
Edhe Drejtori i DVP Vlorë, Drejtues Elidon Çela, e cilësoi Zarkën si një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Policinë e Vlorës:
“I qetë, profesionist dhe i përkushtuar, ai ka qenë për shumë prej nesh një shembull në çdo aspekt.”
Në fjalën e tij, Kryekomisar Zarka falënderoi drejtuesit dhe kolegët për vlerësimin:
“Policia ka qenë jo vetëm vendi im i punës, por edhe familja ime e dytë. Jam krenar për gjithçka kam dhënë dhe për atë që kam mësuar gjatë këtij rrugëtimi.”
Policia e Shtetit i uroi shëndet dhe mbarësi në këtë kapitull të ri të jetës, duke e falënderuar për shembullin dhe kontributin e vyer që lë pas.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente