Bypass-i i Vlorës, një projekt ambicioz infrastrukturor që synonte të përmirësonte aksesin drejt Rivierës Shqiptare, është kthyer në një burim shqetësimi të vazhdueshëm për banorët e zonës dhe përdoruesit e rrugës. Me një gjatësi prej 29 kilometrash, ky aks rrugor lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën bregdetare Vlorë-Sarandë dhe fillimisht u planifikua të ndërtohej nga kompania Gener 2, me një kosto prej rreth 35.8 milionë euro.
Financimi i projektit u sigurua përmes një kombinimi fondesh, përfshirë 24 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian, Italia dhe WBIF, si dhe 53 milionë euro bashkëfinancim nga Banka Evropiane për Investime. Megjithatë, që nga fillimi, ndërtimi i tij është përballur me vonesa të përsëritura dhe probleme teknike që kanë krijuar pakënaqësi për banorët.
Aktualisht, Bypass-i i Vlorës është përfshirë sërish në debate për shkak të riparimeve të vazhdueshme dhe problemeve të pazgjidhura. Një nga pikat kritike është segmenti në Kaninë, ku po ndërtohet një nënkalim që është kundërshtuar nga banorët. Sipas tyre, nënkalimi është shumë i ulët dhe nuk ofron një zgjidhje të qëndrueshme për qasjen drejt tokave, ullishtave dhe banesave të tyre. Për më tepër, rrëshqitjet e dherave dhe gurëve kanë bllokuar rrugën disa herë, duke i lënë qytetarët e Kaninës dhe zonave përreth të izoluar.
Pavarësisht premtimeve të përsëritura nga qeveria për përfundimin e punimeve në prill 2025, banorët mbeten skeptikë. Ata shprehen se ky projekt, që në fillim u mendua si një zgjidhje për trafikun dhe zhvillimin turistik, është kthyer në një burim problemesh.
Banorët e Kaninës: Premtime të pambajtura dhe zhgënjim
Banorët e Kaninës janë ndër më të prekurit nga problemet e Bypass-it. Ata theksojnë se mbyllja e rrugës i ka izoluar nga pronat dhe i ka penalizuar ekonomikisht.
"Nuk vemi dot në prona dhe kjo na pengon shumë. Unë që jam në fund të fshatit duhet të vij këtej për t’u futur në pronë. Vetëm na ka penguar," shprehen banorët e dëshpëruar.
Mungesa e sinjalistikës, cilësia e dobët e punimeve dhe problemet e vazhdueshme me rrëshqitjet e dherave janë kthyer në përditshmëri për qytetarët. Ata janë të zhgënjyer dhe shprehin skepticizëm për përfundimin e projektit, i cili deri më tani ka kushtuar mbi 56 milionë euro dhe përfshin pesë ura, dy nënkalime dhe 15 kryqëzime.
Për më shumë informacione dhe zhvillime nga Vlora dhe gjithë vendi, ndiqni Blu TV.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente