Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit një Akt Normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2025, me qëllim rritjen e efikasitetit në përdorimin e fondeve publike dhe përmbushjen e objektivave zhvillimore të vendit.
Sipas Ministrisë së Financave, rishikimi i buxhetit erdhi pas analizës së performancës së projekteve në 5-mujorin e parë dhe pritshmërive për realizimin e tyre në pjesën e mbetur të vitit.
Një ndër ndërhyrjet kryesore është miratimi i skemës së re të Garancisë Sovrane për sektorin e bujqësisë, me një vlerë prej 3 miliardë lekësh, që synon të lehtësojë aksesin në financë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme bujqësore. Qëllimi është rritja e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë në tregun vendas e të huaj.
Në total, rialokimi i fondeve arrin në 11.8 miliardë lekë, ku përfshihen edhe 5.6 miliardë lekë kursime të identifikuara, që do të shkojnë për:
Forcimin e sigurisë digjitale
Përmirësimin e infrastrukturës kombëtare
Modernizimin e teknologjisë së informacionit në administratën publike
Ministria e Financave konfirmon se këto ndryshime nuk ndikojnë në nivelin e deficitit buxhetor, i cili mbetet në 68.1 miliardë lekë, si dhe nuk ndryshon niveli i borxhit publik.
Ndërkohë, autoritetet financiare nënvizojnë se mbeten të angazhuara për të ruajtur konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente