Bullizmi online.

Bullizmi online.

Në rrjetet sociale të fëmijëve tanë ndodh çdo ditë një lloj dhune që s’ka zhurmë, nuk lë gjurmë në lëkurë, por hap plagë që nuk mbyllen për vite. Është bullizmi online, ajo dhunë e heshtur që ndodh pas një ekrani, pas një emri të rremë, pas një buzëqeshjeje virtuale që fsheh fyerje, përqeshje e përbuzje.

Prej kohësh, faqe që mbajnë logot e shkollave e përdorin këtë pushtet të rrjeteve për të shpërndarë ofendime dhe për të poshtëruar nxënës. Aty ku duhej të kishte bashkëpunim e respekt, krijohet terren për dhunë psikologjike. Disa e quajnë “lojë”, të tjerë “shaka mes fëmijësh”. Por nuk ka asgjë të pafajshme në fjalët që shkatërrojnë dinjitetin e një të riu. Nuk ka argëtim në poshtërimin publik dhe mbi të gjitha, nuk ka asnjë justifikim në heshtjen e të rriturve.

Fraza “janë fëmijë, do rriten” është bërë strehë për neglizhencë. Por fëmijët nuk rriten nën poshtërim,ata thyhen, fyen, lëndohen.Ata nuk mësojnë guximin përmes talljes por frikën. Dhe kur një nxënës kthehet në shtëpi me dhimbjen që nuk guxon ta thotë me zë, përgjegjësia nuk është më e tij, por e jona,e prindërve, e mësuesve, e institucioneve që duhet ta kishin mbrojtur.

Shkollat duhet të jenë vendet më të sigurta për një fëmijë. Dhe siguria nuk matet vetëm me muret, por me ndjenjën e dinjitetit dhe respektit që ushqehet çdo ditë. Kjo është arsyeja pse çdo drejtues, çdo mësues, çdo zyrtar arsimor duhet të marrë përgjegjësi të qartë për të vepruar kundër bullizmit online. Faqet që nxisin dhunë duhet të mbyllen menjëherë. Ata që i krijojnë duhet të identifikohen dhe të përballen me pasoja reale. Në rregulloret e shkollave duhet të shkruhet qartë se bullizmi, në çdo formë ,përfshirë atë virtual, është arsye për përjashtim. Sepse drejtësia nuk është hakmarrje por mësim për përgjegjësi.

Por përtej ndëshkimit, duhet ndërgjegjësim dhe mbështetje. Mësuesit nuk janë vetëm transmetues dijesh por kujdestarë të heshtur të mirëqenies emocionale të nxënësve. Prindërit janë mburoja e parë e sigurisë dhe shokët e klasës kanë një fuqi që shpesh e nënvlerësojmë.Ata mund të zgjedhin të mos jenë spektatorë. Një fjalë mbështetëse, një qëndrim i drejtë, një “mos e bëj” në momentin e duhur, mund të ndryshojë një histori dhimbjeje.

Bullizmi online është një pasqyrë e shoqërisë sonë. Sa herë që heshtim përballë tij, i mësojmë fëmijët tanë se dhuna është e pranueshme. Dhe sa herë që veprojmë, u mësojmë se dinjiteti ka vlerë.

Koha për të reaguar nuk është nesër por sa më shpejt.Sepse çdo fëmijë që sot ndjehet vetëm, i tallur apo i përjashtuar, ka nevojë për një zë që ta mbrojë. Dhe nëse ne, të rriturit, nuk jemi ai zë , atëherë kush do të jetë?

Lajmi nga: Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri

Marieta Mërkuri

Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Komente

-