Briken Calja shkëlqen në kampionatin ballkanik: 3 rekorde dhe 3 medalje ari në Durrës

Briken Calja shkëlqen në kampionatin ballkanik: 3 rekorde dhe 3 medalje ari në Durrës

Briken Calja është rikthyer në skenën ndërkombëtare të peshëngritjes me një paraqitje spektakolare, duke fituar tre medalje të arta dhe duke vendosur tre rekorde ballkanike në kampionatin që po zhvillohet në Durrës, i rikthyer në Shqipëri pas 25 vitesh mungesë. Kampioni i botës dhe i Europës konfirmoi sërish klasën e tij, duke dominuar që nga provat e para.

Në shkëputje, Calja ngriti 150 kilogramë në provën e parë, duke vendosur menjëherë rekord ballkanik. Edhe pse nuk arriti të realizonte dy provat e tjera, rezultati i parë mjaftoi për t’i siguruar medaljen e artë. Në shtytje, ai nisi me 180 kilogramë, pati një dështim në provën e dytë me 185 kilogramë, por e përfundoi me sukses të njëjtën peshë në provën e tretë, duke vendosur një rekord të dytë.

Me një total prej 335 kilogramësh në dygarësh, Calja mori edhe medaljen e tretë të artë, duke vulosur një tjetër rekord. Gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar, peshëngritësi u pa teksa fshinte lotët, një moment që pasqyroi sakrificat e një periudhe trevjeçare të mbushur me dëmtime dhe pengesa personale.

“Ka qenë një nga eksperiencat më të vështira të karrierës time, duke pasur parasysh dëmtimet dhe pengesat e këtij trevjeçari,” u shpreh Calja pas triumfit.

Në sallë atmosfera ishte elektrizuese, ndërsa presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, vlerësoi suksesin: “Vetëm me sport kemi arritur në Europë, atje ku duam të shkojmë. Falënderoj sportistët, trajnerët dhe Brikenin për këtë rezultat.”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, u shpreh optimist për të ardhmen: “Federata do të prodhojë shumë shpejt medalje të tjera. Jemi në rrugën e duhur me një brez të jashtëzakonshëm sportistësh.”

Në të njëjtën kategori garoi edhe peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj, i cili nuk arriti të realizonte provat në shkëputje dhe shtytje.

Triumfi i Briken Caljes shënon një tjetër moment madhështor për peshëngritjen shqiptare, duke e vendosur sportistin në krye të podiumit ballkanik me një rikthim të jashtëzakonshëm.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-