Në orët e para të mëngjesit të datës 31.07.2025, në fshatin Borsh, Himarë, ka ndodhur një ngjarje e rëndë ku një shtetas ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Pas një konflikti fizik të ndodhur në një lokal, shtetasi Hekuran Çela, 42 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se ka kryer një sulm me armë ndaj shtetasit Erald Shullazi, 33 vjeç, duke e plagosur në shpatull dhe në këmbë. Viktima ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka nisur kur Çela është goditur me grushte nga shtetasi Edmond Vlashi, 55 vjeç, banues në Tiranë. Pas këtij momenti, Çela ka lënë lokalin dhe është rikthyer me një armë zjarri automatik, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit të Shullazit. Dyshohet gjithashtu se ai ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç.
Falë veprimeve të shpejta hetimore nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, është arritur të arrestohet Hekuran Çela në flagrancë, i cili akuzohet për veprat penale "Vrasje me dashje", mbetur në tentativë, dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit". Po ashtu, është shpallur në kërkim Edmond Vlashi, për veprën penale "Dëmtime të tjera me dashje".
Në vendngjarje janë sekuestruar 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë si prova materiale. Puna për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje vijon.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente