Blegtoria në rënie alarmante – Shqipëria humbet 37% të lopëve të qumështit në një dekadë

Blegtoria në rënie alarmante – Shqipëria humbet 37% të lopëve të qumështit në një dekadë

Shqipëria po përjeton një rënie të fortë në sektorin e blegtorisë, me një tkurrje prej 37% të numrit të lopëve të qumështit në harkun kohor 2014–2024. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë një tendencë shqetësuese në të gjitha qarqet e vendit, me pasoja të drejtpërdrejta në prodhimin e brendshëm të qumështit dhe në trashëgiminë rurale e kulinarinë tradicionale.

Fieri mbetet qarku me numrin më të madh të lopëve, ndonëse ka pësuar rënie nga mbi 50 mijë në 34,800 krerë. Elbasani, dikur qendër e rëndësishme blegtorale, ka humbur më shumë se 59% të tufës, i ndjekur nga Berati me një rënie vjetore prej 18% në 2024, më e larta në shkallë vendi.

Gjirokastra, Korça, Dibra, Kukësi, Shkodra dhe Durrësi kanë përjetuar gjithashtu ulje të ndjeshme të numrit të krerëve, të ndikuar nga shpopullimi i zonave rurale dhe mungesa e investimeve në bujqësi. Vlora është qarku i vetëm ku rënia ka qenë minimale, me vetëm 2.8% në një dekadë.

Ky fenomen lidhet ngushtësisht me emigrimin masiv, urbanizimin e shpejtë dhe mungesën e politikave të qëndrueshme për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë. Nëse trendi vazhdon, Shqipëria rrezikon të bëhet e varur nga importet e qumështit dhe të humbasë një pjesë të rëndësishme të identitetit të saj rural.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-