Deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, ka reaguar publikisht lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar rreth orës 21:00, në aksin rrugor Kapshticë-Korçë, ku ai dhe vëllai i tij u përfshinë në një përplasje me një mjet të tonazhit të rëndë.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Nallbati e pranoi se duhej të kishte treguar më shumë maturi përballë një situate që e cilëson si provokim, por theksoi se çdo reagim i tij ka qenë njerëzor dhe i ndikuar nga rrethanat e momentit. Ai theksoi se, ndonëse është politikan, "është njeri përpara se gjithash".
Sipas tij, konflikti ka nisur pas një ndalese të detyruar për shkak të një gropë në rrugë, të cilën e cilësoi si simbol të neglizhencës së autoriteteve vendore. Nallbati mohoi kategorikisht se ai apo vëllai i tij i kanë prerë rrugën kamionit, duke deklaruar se mjeti i tyre ndaloi për të shmangur një aksident të mundshëm, ndërsa kamioni udhëtonte me shpejtësi nga pas.
"Kam tentuar shumë herë ta shmang konfliktin, por në një moment të ngarkuar emocionalisht, ndodhin edhe reagime të pakontrolluara", – deklaroi ai, duke shtuar se edhe shoferi i kamionit ka pasur sjellje provokuese dhe gjuhë të papërshtatshme.
Deputeti shprehu shqetësimin se ngjarja po përdoret politikisht dhe pretendoi për ndërhyrje direkte të ministrit Niko Peleshi në strukturat e Policisë së Qarkut Korçë. Ai akuzoi ministrin se ka ushtruar ndikim për transferimin e çështjes në komisariatin e Korçës dhe për ngritjen e akuzave që, sipas tij, janë të pabazuara.
Nallbati ftoi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të verifikojë të gjitha pamjet filmike dhe komunikimet zyrtare, duke theksuar se incidenti është deklaruar nga të dyja palët si një keqkuptim momental. Ai shtoi se ka informacion se drejtori i Policisë së Qarkut është thirrur për sqarime dhe ka pezulluar dy drejtues lokalë të komisariatit.
"Ftoj SPAK-un të bëjë transparencë të plotë dhe të vërtetojë çfarë ka ndodhur realisht. E vërteta nuk mund të transformohet sipas interesit të çastit politik", – u shpreh deputeti demokrat në fund të deklaratës së tij.
Komente