Procesi i lirimit të hapësirave publike vazhdon në të gjitha bashkitë e vendit, dhe në Shkodër bizneset po vijojnë edhe sot çmontimin e strukturave që kanë zënë hapësirat publike, në kuadër të një aksioni të përbashkët për kthimin e hapësirave për qytetarët.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka ndarë foto të procesit dhe ka theksuar se të hënën punonjësit e Bashkisë do të jenë në terren për të monitoruar dhe siguruar zbatimin e vendimit.
“Punonjësit e bashkisë do të zbatojnë vendimin ndaj të gjithë atyre që nuk i janë përgjigjur thirrjes për lirimin vullnetar të këtyre hapësirave, të cilat po u kthehen qytetarëve”, shprehet Beci.
Po ashtu, Policia Bashkiake Shkodër ka njoftuar të gjitha bizneset për lirimin vullnetar të hapësirave, duke bërë të qartë se në të kundërt, do të veprohet në përputhje me ligjin deri në lirimin e plotë të tyre.
Ky proces është pjesë e aksionit të gjerë në nivel kombëtar për lirimin e hapësirave publike dhe për mbrojtjen e interesave të komunitetit, duke siguruar se çdo hapësirë që i përket qytetarëve të kthehet në përdorim të tyre.
Komente