Grupi folklorik “Bilbili” nga Vlora përfaqësoi Shqipërinë me krenari në një nga ngjarjet më prestigjioze të muzikës klasike në Europë – festivalin ndërkombëtar Wonderfeel 2025, të zhvilluar në ’s-Graveland, Holandë.
Ky festival, i njohur si ngjarja më e madhe në natyrë për muzikën klasike në kontinent, mblodhi për tri ditë radhazi mbi 500 artistë nga e gjithë bota dhe rreth 10 mijë vizitorë, në një atmosferë unike ku ndërthuren muzika, arti dhe natyra.
Polifonia shqiptare, për herë të parë në festivalin Wonderfeel
Për herë të parë në historinë e këtij festivali, pjesë e programit u bë edhe muzika tradicionale e Ballkanit, dhe përfaqësimi iu besua Grupit “Bilbili”, ambasador i denjë i polifonisë shqiptare me iso. Ky përfshirje erdhi në bashkëpunim me kuratoren e festivalit Donika Rudi, një mbështetëse e hershme e grupit dhe drejtore e ReMusica Festival, si dhe me ndihmën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Holandë.
Më 4 korrik, në orën 17:00, grupi “Bilbili” interpretoi një koncert 45-minutësh në një nga skenat e hapura të festivalit, duke sjellë në mes të natyrës holandeze tingujt e fuqishëm e emocionalë të Labërisë.
Performanca e tyre u prit me duartrokitje të gjata nga publiku ndërkombëtar, i cili vlerësoi autenticitetin dhe shpirtin e muzikës polifonike shqiptare.
Miqësi dhe bashkëpunime kulturore
Gjatë qëndrimit në Holandë, përfaqësuesit e grupit “Bilbili” zhvilluan takime me drejtoreshën e festivalit Tamar Brüggemann dhe producenten Kayleigh Hagen. Ata shprehën mirënjohjen për mbështetjen dhe dhuruan simbolikisht flamurin e festivalit, së bashku me një ftesë për të vizituar Vlorën – qytetin e Pavarësisë dhe zemrën e polifonisë shqiptare.
Polifonia shqiptare në skenat e botës
Kjo pjesëmarrje e suksesshme është një tjetër dëshmi e vlerës që polifonia shqiptare – e shpallur nga UNESCO në vitin 2005 si “Kryevepër e Trashëgimisë Shpirtërore të Njerëzimit” – vazhdon të ketë në skenat ndërkombëtare.
Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.
Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.
Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV
Komente